Reklama

Çmimet e ngritura të ushqimeve dhe të energjisë elektrike, me ndikim të drejtpërdrejt në jetesën e kosovarëve shumicë

Ngritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore, të nevojshme për konsum të çdoditshëm, në shtator krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është një tregues që konfirmon se pjesa më e madhe e të ardhurave familjare të kosovarëve shumicë vijojnë të shkojnë në nevojat bazë të jetesës.

Buletini Ekonomik

Sado që mungojnë të dhënat e sakta zyrtare rreth strukturës mujore të shpenzimeve të familjeve kosovare, njohësit e ecurive të konsumit dhe të çmimeve konstatojnë se në këtë periudhë të vitit 2025 (deri në shtator) grupi i produkteve ushqimore zë vendin kryesor të shpenzimeve te familjet kosovare dhe, praktikisht, zë peshën më të madhe në strukturën e shpenzimeve mujore.

Rritja vjetore e çmimeve, sipas ASK-së, është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi në disa kategori të mallrave dhe shërbimeve. Pos çmimeve të pushimeve të organizuara, që sipas të dhënave të ASK-së, në shtator krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, u rritën me 23.1 për qind, biletat e fluturimeve me 22.5 për qind dhe energjia elektrike me rritje 17.4 për qind, edhe grupi i produkteve ushqimore zë ndër vendet kryesore të shpenzimeve te familjet kosovare.

Sipas të dhënave të ASK-së, rritje të ndjeshme kanë pasur edhe mishi (12.1 për qind), qumështi, djathi dhe vezët (8.8 për qind), shërbimet hoteliere (8.3 për qind), dhe vajrat e yndyrat (6.8 për qind). Ndërsa, çmimi i kafesë, çajit dhe kakaos në këtë periudhë të trajtuar nga ASK-ja,  është ngritur me e 14.2, si dhe çmimi i pemëve me 13.0 për qind.

Duhet thënë se sipas llogaritjeve të njohësve të ecurive të konsumit dhe të buxheteve familjare, brenda grupit të “ushqimeve”, shpenzimet më të larta të familjeve kosovare janë për perime, mish dhe nënprodukte të tij, për bukë e drithëra. Për ngritjen e çmimeve te produktet bukë e drithëra, ASK-ja nuk ka të dhëna, sado që dihet se sivjet deri në shtator ka pasur së paku dy herë ngritje çmimi të bukës, si dhe të të gjitha pjekurinave që lëndë të parë kanë miellin (ngritja e çmimit të bukës në Kosovë ka ndodhë fare në fillim të këtij viti dhe gjatë muajit prill). Kjo ngritje çmimesh e produkteve elementare ushqimore, të nevojshme për konsum të çdoditshëm, është një tregues që konfirmon se pjesa më e madhe e të ardhurave familjare të kosovarëve shumicë vijon të shkojë në nevojat bazë të jetesës.

Ndërkohë, dihet se kjo luhatje e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në normën mujore dhe vjetore të inflacionit, e cila matet përmes indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK).

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ishte më i lartë për 4.7 për qind në shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra gusht të vitit të kaluar. Po qe se llogaritet se inflacioni është i ndikuar qind për qind nga ngritja e çmimeve, atëherë del se edhe inflacioni në shtatorin e sivjetshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ishte rreth 4,7 për qind, sado që sipas ASK-së, inflacioni mujor shënoi një rënie prej -0.2% në krahasim me mujin paraprak, ose me gushtin 2025.

Të përkujtojmë se edhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike rreth 17 për qind në prill të këtij viti, ka pasur ndikim të ndjeshëm në ç’ekuilibrimin e mirëqenies së kosovarëve shumicë të varfër dhe në rrezikimin real të qindra ndërmarrjeve dhe kompanive biznesore, të kushtëzuara për të siguruar energjinë elektrike në tregun e lirë, shumë herë më të shtrenjtë se sa te furnizuesi i derisivjetshëm.

Kompanitë kosovare me mbi 50 punëtorë dhe me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, tani kanë vështirësi dhe sfida të rënda për të mbajtur vazhdimësinë e prodhimit dhe stabilitetin financiar për shkakun se detyrimisht duhet të sigurojnë energjinë elektrike për nevojat e ndërmarrjeve të tyre me çmime shumëfish më të larta. Ndërsa te familjarët, kategoria e konsumatorëve të amvisërisë, ngritja e çmimit të energjisë elektrike për 10 për qind në prill ka çrregulluar ndjeshëm financiarisht jetesën e shumë familjeve kosovare, sidomos të atyre me të ardhura minimaliste. /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë