Oda Ekonomike Amerikane së fundmi ka dalë me një qëndrim rreth Rregullores së BQK-së për operacionet në para të gatshme.
Në njoftimin e Odës Amerikane thuhet se mirëkupton nevojën për mbikëqyrje rregullative me qëllim të sigurimit të stabilitetit financiar.
“Miratimi së fundmi i Rregullores për Operacione me Para të Gatshme nga Banka Qendrore e Kosovës, ka nxitur reagime të fuqishme nga palët ndërkombëtare të interesit. Derisa Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëkupton nevojën për mbikëqyrje rregullative me qëllim të sigurimit të stabilitetit financiar, është imperativ të konsiderohen edhe implikimet afatshkurta që rregullimi ka në mirëqenien financiare të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Oda Amerikane më tej thekon se rregullorja në fjalë, pa paragjykim ndaj objektivit aktual, në mënyrë jo të duhur, pohon që vetëm euro mund të përdoret për qëllime të pagesave brenda Kosovës, duke përjashtuar në mënyrë të efektshme përdorimin e valutave të tjera në transaksionet ndërmjet palëve.
“Sidoqoftë, është esenciale të thuhet që përderisa euro mban statusin e mjetit ligjor të pagesave në Kosovë, kjo nuk përjashton përdorimin e valutave të tjera në transaksionet, në rastet kur palët e përfshira arrijnë dakordim reciprok. Kështu, pretendimi i rregullores në lidhje me përdorimin ekskluziv të euros mund të keqinterpretohet dhe prandaj kërkon rishikim për qartësi”, thuhet tutje në njoftim.
Po ashtu, ndikimi i rregullores sipas Odës Amerikane shtrihet më tej në transaksionet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.