Reklama

Rritja e kredive konsumuese, indikator domethënës për varfërinë e kosovarëve

Në bazë të të dhënave të BQK-së për vitin 2023, del që kosovarët numerikisht të shumtë – mbijetesën (mbajtjen e familjes, sigurimin e ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit) e sigurojnë nga huamarrja në banka. Më konkretisht, në vitin 2023 u regjistruan 114 milionë euro më shumë kredi konsumuese se më 2022, që është rritje krahasuar me vitin paraprak diku rreth 23 për qind. Indikatorë të tjerë të shumtë që tregojnë për përmasat alarmante të varfërisë në Kosovë…

Mehmet GJATA

Një indikator domethënës dhe që tregon realisht për gjendjen e rënduar financiare dhe mirëqenien e rrënuar ndjeshëm të kosovarëve edhe në këtë fillimvit, është huamarrja e qytetarëve në bankat aktuale që afarojnë në Kosovë, veçanërisht shuma dhe numri i kredive konsumuese.

Në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2023, të publikuara kohë më parë, del që kosovarët numerikisht të shumtë – mbijetesën (mbajtjen e familjes, sigurimin e ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit) e sigurojnë nga huamarrja në banka. Më konkretisht, në vitin 2023, sipas të dhënave të BQK-së, u regjistruan 114 milionë euro më shumë kredi konsumuese se më 2022, që është rritje krahasuar me vitin paraprak diku rreth 23 për qind.

Sipas vrojtuesve të vëmendshëm, rritjen e vrullshme të kredive konsumuese në Kosovë nuk arritën ta parandalojnë as kamatat shumë të larta për kredi, që janë absolutisht ndër më të lartat në rajon dhe në Europë. Kosovarët e varfëruar tashmë në përmasa alamante nuk pyesin për kamata të larta, as për të nesërmen e tyre se çka do të bëhet me obligimet e reja kreditore. Ata e mendojnë hë për hë vetëm sigurimin e parave të domosdoshme për të siguruar bukën për familjarët dhe fëmijët e tyre. Prandaj, sipas njohësve të rrethanave, është kaq i lartë numri i kredive konsumuese në Kosovë gjatë vitit që e lamë pas, por edhe rritja enorme e përqindjes së këtyre kredive (23 për qind) krahasuar me vitin paraprak.

Një informacion i dalë nga BQK-ja, më saktësisht nga një raport i kupolës bankare në Kosovë për muajin korrik 2023, që njoftonte për rritjen e kredive nga mikrofinancat, duke saktësuar se 63 për qind e këtyre kredive janë për ekonomitë familjare, është edhe një fakt tjetër për varfërimin e Kosovës, për mospasjen e shumë kosovarëve – financa të domosdoshme (para minimale) për ta përmbyllur muajin dhe për rënien e fuqisë së tyre blerëse.

“Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63 për qind të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar”, theksohej saktësisht në këtë raport.

Ndërsa, dihet se kush dhe çka vlerësohet kredi familjare. Këtë kreditim, sidomos te institucionet mikrofinanciare, të shquara në Kosovë për kamata të larta enorme, ose që barazohen me interesat e fajdexhinjve illegalë në shumë raste, e kërkojnë shtresa më e varfër e qytetarëve të këtij vendi. E kërkojnë ata, që nuk kanë rrugëdalje tjetër për ta siguruar në të shumtën ushqimin e domosdoshëm brenda një muaji dhe të detyruar nga kriza financiare dhe kërkesat e familjes për t’u ushqyer, detyrohen të paraqiten të institucionet mikrofinanciare. Dhe në bazë të këtyre të dhënave të BQK-së, të tillët janë shtuar shumë dhe numri i tyre është bërë tronditës, shqetësues dhe frikësues. Sepse, të përfaqësohen 63 për qind të gjithsej kredive (qoftë edhe në sektorin e mikrofinancave) vetëm kredi ndaj ekonomive familjare, vështirë të mund të gjesh në ndonjë vend paksa më normal kudo në botë, ndërsa në Europë jo se jo, në asnjë mënyrë.

Kjo shifër në përqindje e kredive për ekonomitë familjare është edhe një tregues plus, që tregon fare qartë se Kosova po varfërohet me ritëm të përshpejtuar dhe se trendi i thellimit të vobektësisë së popullsisë shumicë vetëm sa thellohet.

Tjetër indikator që flet se varfëria në Kosovë po thellohet është edhe e dhëna e kalkuluar ndër institucione të ndryshme edhe ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar, se “16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, që i bie se 16 për qind të ekonomive familjare kosovare gjallojnë vetëm me 1.85 euro në ditë”. Këto janë të dhëna nga raporti i vjetshëm i UNDP-së ku konstatohet se tashmë “nevojat bazike të qytetarëve janë rritur, ndërkohë që të hyrat për familje janë përafërsisht të njëjta”, që thënë ndryshe “nevojat elementare për familje, ato të shportës familjare, me këto të hyra nuk po arrijnë të përmbushen”.

Fundja, çka mund të blehet sot në Kosovë me 1,85 euro? Fakte të shumta të tjera flasin për varfërinë në Republikën tonë, për çka ka raportuar në disa raste dhe e ka trajtuar tematikisht me analiza komplekse Buletini Ekonomik.

Sipas të dhënave statistikore, në fund të 2023-tës, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë. Në të gjitha komunat e Kosovës statistikat e varfërisë janë shokuese, ndërsa komuna e Mitrovicës vazhdon të jetë komuna me më së shumti familje nën asistencë sociale, ani se ka një rënie të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga skema e pensioneve bazike të moshës më 2023 ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; dhe nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues.

Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër).

Ndërkohë, të gjitha të dhënat e publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, flasin se njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës, janë pensionistët. Afro 200 mijë veta, bashkarisht pesionistët me pension të pleqërisë që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributdhënies, pensioni i të cilëve sillet më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht).

Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me 100 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësohen as nevojat elementare.

Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. E keqja bëhet edhe më e madhe, kur dihet se asnjëra nga bankat aktuale nuk krediton pensionistët, madje as me kredi konsumuese.

Përfaqësues të UNDP-së kanë treguar për medien se të gjeturat kryesore nga një anketë e realizuar në korrik të 2023-tës, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind.

Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë. S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madh ka pasur ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos e produkteve esenciale ushqimore.

Kosova, siç u njoftua kohë më parë nga mediet, është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur e fundit në Evropë, në këtë vit janë saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Shqipëria, që FMN-ja në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha ende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut me 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Ndërsa, për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domothënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtarë për kokë banori. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në vitin 2023 e kishte 5.600 dollarë e rendit të fundit Kosovën, ndërsa Shqipërinë me 7 mijë dollarë, si të parafundit. Dhe, ç’është më keq, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfërat e Europës.

Dhe, njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, nuk e kanë fare të qartë, çka pastaj – a do të zbuten në vitet pas 2028-tës përmasat tronditëse të varfërisë, a do të ketë më pak të varfër numerikisht, apo kategori të ndryshme varfanjakësh që presin vazhdimisht dorën e ndihmës së shtetit? Sidoqoftë, të ketë gjithë këtë varfëri në Kosovën me nëntokë dhe mbitokë të begatë, me kondita të vlerësuara si të favorshme për zhvillimin e ekonomisë dhe shumicës absolute të degëve të saj (industrisë, bujqësisë, teknologjisë informative dhe të të gjitha shërbimeve praktikisht), vazhdon të jetë absurditet dhe vazhdon të mbetet çështje e pakuptueshme dhe e diskutueshme, doemos. Deri kur, mbetet të shihet… /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë