Importi i mallrave nga Serbia në 11 muajt e këtij viti ka shënuar rënie për 44.8% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Ekonomistë thotë se mes faktorëve që mund të kenë ndikuar në uljen e importit, përveç vendimeve të qeverisë, kanë mundur të jenë edhe sulmet serbe ndaj institucioneve të sigurisë.
Në vitin 2023 Kosova ka importuar dukshëm më pak mallra nga Serbia.
Të dhënat e Doganës së Kosovës, tregojnë se për 11 muaj, janar-nëntor 2023, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë 188.5 milionë euro.
Krahasuar me 11 mujorshin e vitit paraprak ka rënie për 44.8%. Përgjatë 11 muajve të vitit 2022 Kosova nga Serbia ka importuar mallra në vlerë 341.3 milionë euro.
Pra këtë vit kosovarët kanë blerë nga Serbia 153 milionë euro më pak.