Mashtrimi me uljet sezonale të çmimeve në Kosovë vazhdon të përsëritet në secilin vit, tani e gjithë kohën e pasluftës në Kosovë. Veprime abuzive me çmime ndodhin jo në pak raste edhe në tregtimin e produkteve elementare ushqimore.
Buletini Ekonomik
Një grua mesomoshë, sapo ka dalur nga një shitore veshmbathjeje brenda Pallatit të Rinisë në kryeqytet, e mllefosur tejmase, flet me shumë vetmevete, por dëgjohet mirë edhe nga kalimtarët e rastit: “Këta gënjejnë paturpësisht, mashtrojnë dhe manipulojnë me çmimet”.
Ajo pa hezituar ka treguar para njerëzve kureshtarë se ditë të tëra ka pritur lirimin për ta blerë një bluzë, që kishte çmimin 20 e sa euro, ndërsa tani pas është shpalluar lirimi 30, 50 dhe deri në 70 për qind, publikisht edhe në panot e ekspozuara në vitrinën e dyqanit, bluza e shumë pritur për t’u liruar kushton 23 e më shumë euro.
“Në shumicën e shitoreve tona, këtu në Prishinë, nuk ka zbritje as ditore as sezonale. Gënjejnë dhe mashtrojnë tregtarët, siç më gënjyen mua”, thotë gruaja me nerva të tendosura.
Ky është vetëm një rrëfim që flet për abuzimin e tejduukshëm të tregtarëve me “uljen e reklamuar të çmimeve”. Në shumicën absolute të rasteve, zbritjet sezonale edhe në Kosovë kanë të bëjnë me shitoret e tregtimit të veshmbathjeve, por edhe të teknikës së bardhë dhe materialeve e mjeteve të ndryshme të punës. Dhe tregtarët, ata abuzivë, së paku deri tash, më shumë e kanë përdorur zbritjen sezonale të mallrave të tyre për të mashtruar klientelën dhe konsumatorët në përgjithësi, se sa të zbatojnë ndonjë ulje reale çmimi, të reklamuar në forma të ndryshme dhe në rastet më të shpeshta, duke potencuar në vitrinat e shitoreve përqindje në pano kolosale për gjoja uljet 20, 30, 50, e deri në 70 për qind.
Reklamim i uljeve të çmimeve, sidomos i produkteve të veshmbathjes, në sezonet e tregtimit me ulje çmimesh, ka vite që edhe në Kosovë, veç në gjuhën shqipe bëhen e dhe në anglisht, thuaja në shumicën e shitoreve tona. Ndërkohë, mashtrimi sezonal me çmimet në Kosovë vazhdon të përsëriet në secilin vit, tani e gjithë kohën e pasluftës.
Tregtarët mashtrues, që janë theksueshëm të shumtë, manipulojnë me çmimet duke ua vënë aty për aty çmimet shumë më të larta se sa që i kanë pasur gjatë muajve të tërë para gjoja zbritjes sezonale, dhe pastaj cakton përqindjen e uljes së çmimit për të mbërritur sërish nivelin, ose çmimin thuaja identik që kanë pasur produktet e potencuara me zbritje deri me rastin e proklamimit të uljeve të çmimeve. Dhe ata, tregtarët e pandërgjegjshëm pra, pastaj në insistimin e ndonjë konsumatori të vëmendshëm që nuk ka harruar çmimin paraprak (gjatë muajve deri sa është proklamuar sezoni i uljes së çmimeve), ngulin këmbë duke pohuar se “kjo është ulje reale çmimi”.
Duhet theksuar se në Kosovë ka edhe ulje reale çmimesh sezonale. Por, ato ndodhin ekskluzivisht te brendet e njohura të botës që tashmë kanë hapësira dhe ambiente të veta shitjeje edhe te ne, ose mallin e tyre e plasojnë në disa shitore të kosovarëve, por që i mikëqyrin rigorozisht mënyrat e uljes së çmimeve, duke kërkuar që domosdo të tregtohen mallrat e tyre sipas çmimit të caktuar nga vet kompania .
“Zara, “Adidas”, ”Nike”, “Clark”, ”Neëyorker”, “Boss”, “Mango”, “Bershka” etj, etj, janë decidiv në kërkesat e tyre drejtuar tregtarëve duke kërkuar thuaja me ultimatum për t’i zbatuar rekomandimet dhe përcaktimin e çmimit të ulur nga vetë brendi në sezonin e zbritjeve të çmimeve. Në këto raste tregtarët kosovarë janë kushtimisht ‘të dëgjueshëm’ dhe nuk kanë hapësirë për të manipuluar apo për mashtruar klientelën me çmime gjoja të ulura.
Ndërkohë, në Kosovë, veprime abuzive me çmime ndodhin jo në pak raste edhe në tregtimin e prudukteve elementare ushqimore. Një qytetar, klient i rregullt i marketeve dhe supermarketeve që tregtojnë gamë të gjërë produktesh, ndër to edhe sosh elementare ushqimore, në kushte rreptësisht të anonimnitetit, i ka thënë Buletinit Ekonomik, se këto ditë i ndodhi që në njërën nga qendrat tregtare të zinxhirit të megamarketeve të shumta në kryeqytet, kur shkoi te furnizohet me jogurin e Vita-s, të reklamuar për ulje të madhe çmimi (sipas sintagmës “merr dy, paguaj vetëm një”), e pa që jogurtit të ofruar sipas paralajmërimit, madje edhe të lidhur me një shirit najloni të dy jogurtëve, i skadon afati i përdorimit në ditën e nesërme.
Ose, një rast tjetër ku një konsumator tjetër rrëfen se “dje kishte marrë një komplet vezësh me zbritje, ndërsa sot kur mora të njëjtin paketim prej 30 copë vezësh, në arkë më kërkuan plus një euro, që i binte se sot vezët nuk tregtohen me zbritje, edhe pse data e reklamimit për ulje çmimesh vazhdonte.
“Arkatarja, pasi që i kërkova sqarim për këtë, shkurt më tha se kanë qenë tjera vezë ato, sado që ngula këmbë që çmimi i ulur ende ishte nën vezët për të cilat bëhet fjalë, dhe për vezët krejtësisht të njëjta, që një ditë më parë i kisha blerë me zbritjen e paralajmëruar”, rrëfen ky konsumator.
Tani është bërë dukuri që çmimi i ulur figuron vetëm në raftin ku është i ekspozuar produkti, ndërsa në arkë të faturohet tjetër çmim, ai i vërteti, që është pa ulje. Konsumatorët përmendin edhe rastet kur në megamarketet e shumta, në raftet ku janë vendosur produktet e ndryshme, sidomos ato më të kërkuarat, siç është vaji ushqimor, ose produkte të qumështit, vendosen vetëm nga 5-6 ekzemplarë te produktet të cilët sa çel e mbyllë sytë shiten, dhe pastaj aty mbetet vendi i zbrazët fare. Dhe në kërkesat e konsumatorëve pasojnë përgjigjet lakonike se “është shitur”.
Raste të abuzimit me çmimet e ulura, njohësit e rrethanave i konsiderojnë edhe ca aplikacione në telefon të ndonjë marketi të madh, të cilin duhet ta kenë klientët pavarësisht moshës, gjinisë dhe aftësisë së tyre për të komunikaur me telefonat e mençur. Edhe pse klienti e merr produktin në raftë me çmim saktësisht të ulur, kur të shkon në arkë, nëse nuk ka aplikacionin e kërkuar, ose nëse nuk di të përdorë telefonon celular, atëherë ai detyrimisht duhet të paguaj tjetër çmim, jo atë që i ofrohet në raft.
Organizatat që merren me të drejtat e konsumatorëve, në të shumtën e rasteve të keqpërdorimeve me abuzimin me çmime, pos konstatimit se “ka keqpërdorime”, nuk kanë ndonjë mundësi reale për t’i ndihmuar konsumatorët. Sipas tyre, “parregullsitë dhe mashtrimet po bëhen për shkak të mungesës së inspektorëve”.
Ndërsa, telefonat publik të shpallur edhe në medie nga zyrtarët dhe asociacione të ndryshme për t’u ankuar nga konsumatorët në raste të konstatimeve të abuzimeve me çmime, apo për tregtimin e produkteve me afat të skaduar, në të shumtën janë të papërdorshëm. Në raste shumë të rralla ndodhë që t’i përgjigjet ndokush ankuesit eventual.
Selatin Kaçaniku, një “luftëtar” konsekuent në përballje me abuzimet e tregtarëve, i cili prej vitesh drejton Organizatën “Konsumatori”, me të cilën promovon të drejtat e qytetarëve konsumatorë, ka thënë sa e sa herë për mediet se shkeljet e të drejtave të konsumatorëve janë të mëdha.
“Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve nuk zbatohet në shumë pika. Ne jemi të pa mbrojtur. Gjykatat janë përplot me ankesa të qytetarëve konsumatorë. Reagim edhe më të keq se ankesën e kemi heshtjen. Prandaj MINT, Qeveria e Parlamenti, duhet të kujtohen e të mos mendojnë se i kanë zgjidhur punët pse ka pak ankesa, por le ta dinë se kjo heshtje dikur mund të shpërthejë”, ka thënë Kaçaniku për medie.
Sipas të dhënave, gjatë vitit 2022 Inspektorati i Tregut ka pranuar dhe shqyrtuar 1,239 ankesa të konsumatorëve dhe ka shqiptuar 311 gjoba. Ndërsa të dhënat për këtë vit akoma nuk dihen saktësisht, por, abuzimi me të drejtat e konsumatorëve, manipulimin me çmime të ulura dhe me shitje të produkteve me afat të skaduar, vazhdon nga tregtarët kosovarë me prirje abuzive, sidomos nga marketet e mëdha dhe të ashtuquajturat supermarkete e megamarkete.
Pra, në Kosovë, shqetësuese mbetet edhe shitja e produkteve me afat të skaduar.
“Personalisht disa herë më ka ndodhur që një produkt ta paguaj në arkë më shtrenjtë se që ka shkruar çmimi në raft. Por, dukuri shumë më e keqe se kjo është shitja e produkteve pa afat, siç edhe ka ndodh ta blej. Kjo është shqetësuese, pasi tregon se ka tregtarë që për pak pare janë në gjendje të rrezikojnë jetën e dikujt”, thotë një një konsumator.
Nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës ka thënë se brenda vitit janë kryer mbi 70 mijë kontrolle dhe mbi 300 mijë kilogramë të produkteve të mishit dhe 1 milionë kilogramë të produkteve të tjera jo shtazore janë asgjësuar.
AVUK, madje, iu ka bërë thirrje qytetarëve të kenë më shumë kujdes nga dhuratat e fëmijëve, për shkak të mundësisë së skadimit të afatit të produkteve. AVUK ka thënë se ka trajtuar 460 ankesa të konsumatorëve brenda një viti, ndërsa kreu i shoqatës “Konsumatori”, e potencon vazhdimisht mungesën e kontrollit në treg. Sipas tij, kontrollet kryhen në bazë të mundësivë dhe të kapaciteteve që kanë institucionet, kurse në Kosovë, “asnjëherë nuk ka pasur kontrolle të mjaftueshme të ushqimeve”.
Ndërsa, manipulimet me rastin e uljes së çmimeve të reklamuara me pompozitet, sidomos nëpërmjet medieve vizuele, por edhe në mediet e tjera dhe rrjete të ndryshme sociale, bien në sy, nga viti në vit, edhe sivjet, pra, pos në zbritjet e ashtuquajtura sezonale, edhe te produktet bazike ushqimore, të cilat për rrethanat e Kosovës së varfër janë ekstremisht të shtrenjta. Dhe, prandaj, çdo paralajmërim për ndonjë ulje eventuale të çmimit të secilit produkt, qoftë veshmbathje, qoftë sish themelor ushqimor, josh kosovarët, shumica e të cilëve janë të varfër dhe shumë sish edhe ekstremisht të varfër. Dhe, në shumicën e rasteve, konsumatorët mbeten të zhgënjyer, me të parë çmimet e paralajmëruara si të zbritura e sidomos me rastin e pagesave në arkat e këtyre qendrave tregtare. /Buletini Ekonomik/