Reklama

Miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2024

Deputetët e Kosovës, me 63 vota për, kanë miratuar Ligjin për Buxhetin e vitit 2024. Mirëpo gjatë votimit nuk ishin deputetët e opozitës.

Vlen të theksohet se asnjë nga amendamentet e opozitës nuk janë mbështetur nga deputetët e shumicës parlamentare.

Ndryshe buxheti për vitin 2024 do të jetë 3.3 miliardë euro.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, para votimit në lexim të dytë të projektligjit për buxhetin 2024, u bëri thirrje deputetëve të jenë të pranishëm në sallë, për të siguruar kuorumin e nevojshëm.

Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë votat e mjaftueshme amendamentit i cili parashihte pensionimin e parakohshëm dhe sigurimin shëndetësor të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Pro këtij amendamenti votuan 17 deputetë, kundër ishin 43, derisa kishte 5 abstenime.

Në këtë amendament propozohej që 5 milionë euro të ndahen për pagesën e sigurimit shëndetësor të Policisë së Kosovës, ndërkaq afro 10 milionë euro ishin paraparë të ndahen për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të policisë, me kushtin e arritjes së moshës 55 vjeçare.

Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së, propozoi amendamentin për asfaltimin e rrugës në Buricë të Podujevës, në gjatësi 1.2 km, projekt ky në vlerë 250 mijë euro, i cili nuk gjeti mbështetjen e shumicës, duke marrë vetëm 20 vota pro, teksa 44 deputetë u shprehën kundër dhe gjashtë abstenime.

Ju rekomandojmë