Reklama

Rafuna: Qasja në financat ndërkombëtare, mundësi e mirë për bizneset

Fondet e BE-së kanë ndikuar në mënyrë pozitive në ngritjen e kapaciteteve në kompani të Kosovës. Përfitues të këtyre fondeve konsiderojnë se duhet të vazhdohet me ngritje të kapaciteteve teknike njerëzore, në mënyrë që bizneset e vendit të jenë më konkurrues në tregje evropiane.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se qasja në financat ndërkombëtare është mundësi e mirë për bizneset vendëse.

Bashkimi Evropian është ofruesi më i madh i fondeve dhe ndihmës financiare në Kosovë. Biznesmeni Armend Malazogu, i cili ka përfituar nga fondet e BE-së, tha se Kosova është në fillimin e shfrytëzimit të këtyre fondeve. Ai tha se duhet të ngritën kapacitetet teknike e njerëzore të kompanive, në mënyrë që të jemi konkurrues në tregje të BE-së.

Reklama e sponzorizuar

“Deri tash ka pasur disa investime apo intervenime në ngritjen e kapaciteteve njerëzore apo humane të cilat kanë ndikuar në mënyrë pozitive në ngritjen e kapaciteteve të kompanisë. Unë mendoj se kjo është vetëm faza e parë e që duhet të vazhdohet të zhvillohen dhe të ngritën kapacitetet teknike njerëzore të kompanive tona që të jemi konkurrentë në tregje të BE-së”, tha Malazogu për Radio Kosova.

Malazogu tha se Kosova më së pari duhet të ketë plan strategjik ekonomik e direktiva se nga dëshiron të shkojë dhe çka dëshiron të bëjë, pastaj të rreshtojë të gjithë lojtarët në bazë të gjithë strategjisë zhvillimore që e ka.

E kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna për Radio Kosova, tha se qasja në financa në institucionet financiare ndërkombëtare, është mundësi shumë e mirë për bizneset e Kosovës.

“Në muajin prill bizneseve tona iu dha qasja në financa në institucionet financiare ndërkombëtare nëpërmjet BE-së, e dyta ishte mundësia që t’ia ofrojmë pa asnjë lloj pagese konsulente për të përgatitur dokumentacionin për aplikim për grante të ndryshme që japin institucionet e ndryshme evropiane dhe tjetra për t’iu ndihmuar në përgatitjen e biznes planeve”, tha Rafuna.

Nga fondet e IPA-s që nga viti 2007 deri në 2020 BE ka investuar më shumë se 1.5 miliard euro në Kosovë . Faza e IPA – IPA III – do të mbulojë vitet 2021-2027 me një buxhet prej 14 miliardë eurosh ku do të përfitojë Ballkani Perëndimor dhe Turqia.

Kosova gjithashtu përfiton nga pjesëmarrja në Programet e BE-së, siç janë Erasmus+, COSME, Evropa për Qytetarët, Evropa Kreative, Fiscalis, Dogana dhe gjatë IPA III, Horizonti Evropa./fakteplus.net/

Ju rekomandojmë