Reklama

IKSHPK: Në Kosovë nuk ka virus të Nilit Perëndimor, por të shtohet kujdesi

Edhe pse nuk ka asnjë rast të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor nuk është larguar mundësia e shfaqjes së tij në Kosovë. Pasi, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës të jenë të kujdesshëm nga pickimi i mushkonjave

Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur se në Kosovë nuk ka virus të Nilit Perëndimor, por nuk ka larguar mundësinë e shfaqjes së tij.

Pasi ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, kanë shtuar gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjes.

Po ashtu, IKPSHPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes nga pickimi i mushkonjave, edhe pse nuk ka raste të raportuara me këtë virus.

“Në Kosovë nuk ka akoma raste të raportuara, por duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe mundësinë e përhapjes se virusit të Nilit Perëndimor, jemi duke vëzhguar situatën epidemiologjike në vendin tonë por edhe të shteteve fqinje”, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Shenjat dhe simptomat

Sipas IKSHPK-së simptomat e virusit Nili Perëndimor, përfshijnë dhembje koke, temperaturë, shtrëngim në qafë, shtangie, dezorientim, komë, dridhje, konvulsione, dobësim të muskujve, dhe paralizë.

“Është llogaritur se rreth 1 në 150 persona të infektuar me VNP do të zhvillohet një formë më e rëndë e sëmundjes. Sëmundja serioze mund të shfaqet tek njerëzit e secilës moshë, mirëpo njerëzit mbi moshën 50 vjeçare dhe personat me imunitet te zbehur (p.sh. pacientët me transplantime) janë në rrezik të madh që të sëmurën rëndë pas infektimit me VNP. Periudha e inkubacionit prej 3 deri në 14 ditë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Përhapja e virusit

Sipas, IKSHPK-së infeksioni tek njerëzit kryesisht është rezultat i pickimit nga mushkonjat e infektuara. Mushkonjat infektohen pasi ushqehen me gjakun e zogjve të infektuar, të cilat qarkullojnë virusin në gjakun e tyre për disa ditë.

Virusi përfundimisht futet në gjëndrat pështymore të mushkonjave. Gjatë konsumimit të mëvonshëm të gjakut (kur mushkonjat thumbojnë), virusi mund të injektohet në njerëz dhe kafshë, prej ku shumëzohet dhe mund të shkaktoj sëmundje.

Virusi mund të bartet gjithashtu edhe nëpërmjet kontaktit me kafshët tjera të infektuara, nga gjaku apo indet tjera.

Nga njoftimi i tyre është bërë e ditur se është regjistruar vetëm një rast i bartjes së virusit NP prej nënë tek fëmija me rrugë transplacentare.

Deri më sot nuk ka të dokumentuar asnjë rast të bartjes nga njeriu në njëri të VNP nëpërmjet kontaktit të zakonshëm si dhe nuk janë raportuar raste të bartjes së virusit të punëtorët shëndetësor kur janë vendosur masat standarde paraprake  të  kontrollit të infeksionit.

Parandalimi i virusit

Sipas IKSHPK-së, pasi shpërthimet e epidemive të virusit në fjalë nuk ndodhin fillimisht në njerëz, një mbikëqyrje shëndetësore aktive e shëndetit të kafshëve për gjetjen e rasteve të reja është esenciale në sigurimin e lajmërimit të hershëm për autoritetet veterinare dhe shërbimet shëndetësore humane.

Po ashtu, në mungesë të vaksinës, mënyra e vetme për të zvogëluar infeksionin në njerëz është përmes vetëdijesimit dhe edukimit të popullatës rreth masave që mund të ndërmarrin për të zvogëluar rrezikun e ekspozimit ndaj virusit.

Ndërkaq, laboratoret e Institutit Kombëtar janë të gatshme të diagnostikojnë çdo rast të dyshimtë klinikisht me virusin e Nilit Perëndimor.

Ju rekomandojmë