Reklama

7 Pasaportat që hapin të gjitha dyert – Cilat janë llojet e dokumenteve më të privilegjuara në botë?!

Zakonisht njerëzit kanë vetëm një pasaportë ose ndoshta dy nëse keni shtetësi të dyfishtë. Por nëse e gjeni veten në një punë të caktuar — diplomatike, hetuese apo edhe presidenciale – mund të merrni një dokument identifikues që mund të hapë më shumë dyer se sa një pasaporte e thjeshtë! Më poshtë janë listuar disa nga pasaportat dhe lejet jostandarde që gjenden aktualisht në botë!

Pasaporta diplomatike

Pasaportat diplomatike u lëshohen diplomatëve dhe konsujve qeveritarë të vendosur jashtë vendit. Diplomatët gjithashtu gëzojnë shpesh imunitet diplomatik (shënim: kjo nuk ju jep “carte blanche” për të kryer ndonjë krim ndërsa jeni jashtë vendit). Anëtarët e familjes së diplomatëve ndonjëherë mund të marrin gjithashtu një pasaportë diplomatike.

Pasaporta presidenciale dhe kryeministrore

Për të zotëruar formën më të lartë të pasaportës, do t’ju duhet të keni pozicionin e presidentit ose kryeministrit. Megjithatë, bartësi VIP ndoshta nuk duhet të mbajë pasaportën e tij me vete; as nuk kanë nevojë të qëndrojnë në radhë në doganë — zyrtarë të tjerë do të kujdesen për këtë.

Pasaporta zyrtare/speciale

Pasaportat zyrtare (siç quhen në SHBA dhe MB) ose pasaporta speciale (siç njihen në Kanada) u lëshohen senatorëve, ligjvënësve, zyrtarëve ushtarakë dhe punonjësve të tjerë të qeverisë që nuk janë strikt diplomatë, por duhet të udhëtoni në një post jashtë vendit, ose në një mision zyrtar. Në letër, këto pasaporta nuk ofrojnë ndonjë përfitim të veçantë. Disa pasaporta zyrtare ju ofrojnë një trajtim yjor; nëse posedoni një nga SHBA, për shembull, ju jeni të përjashtuar nga pagesa e tarifave të vizave.

Dokumenti i Udhëtimit të Interpolit

Të lëshuara ekskluzivisht për punonjësit e Interpolit, Dokumentet e Udhëtimit të Interpolit vijnë në dy formate: Librezë e Pasaportës elektronike dhe Kartë ID elektronike (e-Kartë Identifikimi). Ndjekja e kriminelëve anembanë botës nuk është një detyrë e lehtë dhe Dokumenti i Udhëtimit të Interpolit u krijua për të ulur burokracitë duke hequr dorë nga kërkesat e ndryshme për viza dhe duke përshpejtuar ndjekjen dhe gjendjen e të kërkuarit.

Laissez-Passer i Kombeve të Bashkuara (UNLP)

Anëtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB), Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave të tjera të ndryshme mund të marrin në dorë këtë dokument, i cili u lançua për herë të parë në 1946 dhe u bë elektronik në 2012.

OKB-ja thekson se mbajtësve të UNLP-së së kuqe mund t’iu “akordohen privilegje dhe imunitete diplomatike dhe lehtësira diplomatike kur udhëtojnë për biznesin e Kombeve të Bashkuara”.

Kur nuk ju kërkohet të mbani fare pasaportë

Megjithëse shumica e anëtarëve të familjeve mbretërore ende kërkojnë një pasaportë për të udhëtuar, monarkët në fuqi mund të përjashtohen.

Po Papa?

Si sovran i qytetit të Vatikanit, Papa ka një pasaportë të veçantë të Selisë së Shenjtë.

Por në vitin 2014, pak pasi u zgjodh, Papa Françesku ndërmori hapin e pazakontë të rinovimit të kartës së identifikimit dhe pasaportës, duke vazhduar të identifikohej si një argjentinas mesatar, duke mos pasur privilegje të veçanta.  CNN

Edel Strazimiri / SCAN

Ju rekomandojmë