Reklama

Vitin e kaluar, kriminelët pastruan 8.6 miliardë dollarë përmes kriptomonedhave

Kriminelët kanë pastruar 8.6 miliardë dollarë përmes kriptomonedhave gjatë vitit 2021, gjegjësisht 30 për qind më shumë se një vit më parë, thotë një raport nga kompania e të dhënave blockchain, Chainalysis.

Kompania më parë kishte një vlerësim jozyrtar se kriminelët kishin pastruar 14 miliardë dollarë në vitin 2021.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) e Mbretërisë së Bashkuar i tha BBC-së se forcat ligjore po reagojnë ndaj këtyre zhvillimeve.

Chainalysis thotë se po gjurmon kuletat e kriptomonedhave të kontrolluara nga kriminelë të tillë si ransomware, malware, mashtruesit, trafikantët e qenieve njerëzore, operatorët e tregut të rrjetit të errët dhe grupet terroriste, transmeton Telegrafi.

Duke ndjekur flukset e kriptomonedhave nga adresat e lidhura me aktivitetin kriminal, Chainalysis ishte në gjendje të vlerësonte sasinë e “pastruar”.

Ai thotë se shumica e kriptomonedhave pastrohen përmes një numri të kufizuar shërbimesh – për shembull, shkëmbime të veçanta të favorizuara nga kriminelët – dhe mbyllja e tyre mund të ketë një ndikim të madh.

Raporti vë në dukje se “ndërsa kriptovalutat me vlerë miliarda dollarë lëvizin nga adresa të paligjshme çdo vit, shumica e tyre përfundon te një grup çuditërisht të vogël shërbimesh, shumë prej të cilave duken të krijuara me qëllim për pastrim parash”.

Sipas një raporti të Europolit, të publikuar gjithashtu të mërkurën, rrjetet kriminale të specializuara në pastrimin e parave në shkallë të gjerë “kanë adoptuar kriptovalutat dhe po ofrojnë shërbimet e tyre për kriminelët e tjerë”.

Sipas Chainalysis, totali i pastruar është më pak se kulmi prej 10.9 miliardë dollarësh kur u arrit në vitin 2019. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë