Një qytetare nga Gjakova po pretendon se u sulmua nga pronarët e një lokali në Gjakovë, ku ajo kishte punuar aty për disa muaj.
Sipas saj, pasi që ajo kishte vendosur ta ndërpresë mardhënien e punës, disa ditë me vonë kishte shkuar për ta kërkuar pagën, që ajo pretendon se i kanë mbetur borxh.
Sipas saj, në atë moment ajo ishtë sulmuar fizikisht nga ish-punëdhënësit e saj, pronarët e lokalit, që sipas saj ishinë babë e djalë.
Qytetarja pretendon se u sulmua nga të dy, por Prokuroria e Gjakovës kishte vendosur që në mbajtje ta dërgoi vetëm djalin duke e liruar babin.
Në mbajtje për 48 orë ka përfunduar edhe vëllai i viktimës pasi i njëjti kishte thirrur në telefon dhe kishte kërcënuar sulmuesit e motrës.
“Unë shkova u ula, e porosita një kafe, shkova me mirësjellje se normal unë aty kam punuar te mirë apo të këqij, i thashë – a ka mundësi me ma jep rrogën se i kam disa obligime me i pagu dhe më tha, çfarë rroge, ti i ke marr paret dhe nuk ka shkuar një sekondë me ka ardhur babai i tij, më ka kap për krahu, ky tjetri me ka sjellë shkelma, boksa edhe me kanë përplasur për shkallë dhe u përplasa në xhama. Dhjetë minuta nuk kam ditur ku jam dhe e kam thirrur vëllain se nuk e dijsha as numrin e policisë dhe i tregova që rrogën nuk ma kanë dhanë dhe me kanë rrahur dhe ai e ka thirre policinë dhe kanë ardhë policia dhe me thanë se pa kontratë s’kemi qysh me te ndihmua. Unë ju thash lëne kontratën se mua po me dhemb trupi”, tha G.K.
Qytetarja po ashtu ka thanë se policia i kishin thanë të vinte vetë ne stacionin policor duke mos i ofruar as ndihmën mjekësore pas sulmit që ajo kishte marr në lokalin ku kishte punuar.
“Unë kam shkuar me biçikletë në polici se me thanë që do hajde me biçikletë edhe kanë ardhë masandej policia pa ata dy. Në stacion me thanë së nuk kemi qysh me te ndihmu sepse nuk kemi qysh me ta nxjerrë rrogën, ma mirë harroje këtë punë dhe me lëshuan mua dhe i lëshuan edhe ata”, theksoi G.K.
Ajo ka rrëfyer situatën se ishte ardhë deri tek përfshirja e vëllait të saj në këtë rast.
“Nuk më thanë se duhet me shku te mjeku, kur jam kthyer ne banesë më ka pa vëllai dhe e ka thirre në telefon dhe ka kërcënuar njërin nga sulmuesit e mi. I ka thanë ka me t’i thye këmbët. Polica pastaj e ka thirrur vëllain tim dhe me thirrën edhe mua. Shkova, më kanë marrë në deklaratë e me kanë dërguar ne spital dhe aty me doli krahu dhe kuki i lënduar”, potencon ajo.
KALLXO.com ka kontaktuar me policinë e Kosovës në Gjakovë, të cilët thanë që zyrtarët policorë, për rastin në fjalë e kanë njoftuar prokurorin kujdestar.
“Pretendimet e qytetares G.K qëndrojnë, e njëjta ditën kritike apo të incidentit është sulmuar nga U. D. dhe A. D. Zyrtarët policor i janë përgjigjur rastit, kanë shoqëruar sulmuesit në Stacionin policor, kanë intervistuar të dyshuarit, rastin në plotni ia kanë sqaruar prokurorit kujdestar, dhe i njëjti sipas detyrës zyrtare ka vlerësuar dhe më pas ka urdhëruar ndalim policor prej 48 orësh për njërin person të dyshuar, kurse personi tjetër është liruar në procedure të rregullt”, thuhet ne përgjigjen e policisë së Gjakovës.
Prokuroria e Gjakovës nuk ka sqaruar pretendimet e qytetares se ajo u sulmua nga dy persona dhe pse vetëm njeri u dërgua në mbajtje, por ka konfirmuar se rasti ka ndodhur.
“Për momentin veç mundemi me iu konfirmu për rastin e ndodhur me datë 30.01.2022, ku me urdhër të prokurorit janë ndaluar dy persona për 48 orë, ku njëri nga ta ishte vëllai i viktimës. Rasti është në procedure të rregullt, ndërkaq kallëzim penal për rastin në fjalë, Prokuroria ende nuk e ka pranuar”, thuhet ne përgjigjen e prokurorisë së Gjakovës.
Policia në Gjakovë gjithashtu ka sqaruar se si u përfshi vëllai i viktimës në këtë rast dhe pse u dërgua në mbajtje.
“Në rast është implikuar dhe vëllai i viktimës (ankueses) i cili po ashtu është shoqëruar nga zyrtarët policor në Stacionin policor, është intervistuar dhe po ashtu është njoftuar prokurori i njëjtë dhe pas dëgjimit ka vlerësuar rastin dhe veprimet e të njëjtit dhe ka urdhëruar që i njëjti të dërgohet në ndalim policor prej 48 orësh”. Thuhet në përgjigjen e Policisë.
A.K., vëllai i viktimës ka thënë se është ndjerë keq kur ka dëgjuar se çka i ka ndodhur motrës së tij dhe ka thirrur në telefon dhe pranon se i ka kërcënuar sulmuesit e motrës.
“Kur erdha ne banesë po e shoh motrën, po e pyes se çka ka ndodhur dhe me tregoi se i kanë liruar policia, se i kanë thanë se nuk ke kontratë punë. Pastaj u nxjerrë rasti, kur e kam thirr unë këtë personin e i kam thanë më ke marrë në qafë. Për që e kanë rreh nuk e kanë marrë parasysh hiç as nuk e kanë dërguar te doktori. Më kanë thirr mua policia në telefon dhe me kanë thanë më ardhë me dhanë një deklaratë se e ke kërcënua dhe me dërguan 48 orë mbajtje”, theksoi A.K.
Hulumtuesit e KALLXO.com kanë vizituar lokalin në Gjakovë, ku kanë takuar edhe babin edhe djalin, U.D. dhe A.D., që qytetarja po pretendon se është sulmuar nga ta.
Të dytë, kanë mohuar se e kanë sulmuar qytetaren, si dhe pretendojnë se ia kanë dhënë pagën. Ndërsa e kanë pranuar se ajo nuk ka pasur kontratë punë, me pretekstin se lokali kishte vetëm disa muaj që ishte hapur.
Prokuroria e Gjakovës nuk e kishte dërguar në mbajtje U. D. Por tash se fundmi kanë pranuar kallëzimin Penal ku te përfshirë janë babë e djalë e po ashtu edhe vëllai i viktimës që kishte kanosur sulmuesin e motrës.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë ka pranuar kallëzimin penal nga policia më 22 shkurt 2022, ndërsa sot më 03 mars 2022, Prokurorja e rastit ka bërë Aktvendim për fillim të hetimeve. Ndaj U.D dhe A.D., nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Lëndim I lehtë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi I pasurisë”, kurse për të dyshuarin tjetër A.K., për veprën penale “Kanosja”. Thuhet ne përgjigjen e prokurorisë së Gjakovës. /Kallxo.com/