Njoftim me Rëndësi:
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim të rëndësishëm për shkëputjen e kontratës së konsumatorëve me operatorët kabllorë në vend. Kjo njoftim vjen si rezultat i shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve nga Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit, i pranuar nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).
Në përputhje me vendimin e MINT, operatorët kabllorë janë detyruar të heqin kushtet e padrejta nga kontratat e tyre. Ky vendim i jep konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës, nëse operatori nuk ka përmbushur obligimet sipas kontratës së lidhur.
Në veçanti, detyrimi i vënë konsumatorëve për të paguar pjesën e mbetur të kontratës, edhe në rast se ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit ose kanaleve, është në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ligji specifikon se kushtet e cilat konsiderohen si të padrejta janë ato që kanë qëllimin ose efektin e detyrimit të konsumatorit për të përmbushur të gjitha detyrimet e tij kur shitësi ose furnizuesi nuk i përmbush obligimet e tij.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shpreh përkushtimin e saj ndaj mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe inkurajon të gjithë qytetarët të vazhdojnë të shprehin ankesat e tyre pranë Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të MINT. Kjo siguron shqyrtim të kujdesshëm nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe institucionet tjera përgjegjëse.
Konsumatorët mund të paraqesin ankesat e tyre duke telefonuar në numrin pa pagesë: 0800 11000 apo përmes e-mail adresës: [email protected].
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Inspektorati i Tregut – MINT #MbrojtjaeKonsumatorit