Reklama

Tregu i kriptovalutave ‘fshin’ 150 miliardë dollarë – Bitcoin dhe ether, në rënie me mbi 9%. Rritja e yield-it largon investitorët

Kriptovalutat kanë pësuar rënie në tregtinë e fundit, me Bitcoin dhe Ethereum që u përmbysën, duke fshirë thuajse 150 miliardë dollarë nga tregu i aktiveve dixhitale. Bitcoin ra me rreth 8% në 24 orët e fundit dhe tregtohej në 38,709 sipas të dhënave të CoinDesk.  Ether, kriptovaluta e dytë matur nga vlera totale në treg, ra me mbi 9% në 24 orët e fundit dhe tregtohej në 2,853 dollarë, pasi preku 2,809 dollarë më herët gjatë tregtisë.  Rreth 147 miliardë dollarë u fshinë nga i gjithë tregu i kriptovalutave në 24 orët e fundit, sipas Coinmarketcap.

Rënia ndoqi edhe humbjet në Wall Street në tregtinë e së Enjtes. Nasdaq ndodhet në rënie me mbi 5% këtë javë dhe S&P 500 ka publikuar humbje për 3 javë me radhë.  Ndërkohë që yieldi 10-vjeçar i titujve të Thesarit u rrit më herët gjatë javës,  investitorët janë larguar disi nga aktivet më me rrezik. Rezerva Federale ka sinjalizuar gjithashtu planet për të reduktuar bilancin, si dhe rritjen e normës bazë të interesit.  Një ndër arsyet e investimit në bitcoin është se shërben si mbrojtje kundër inflacionit, që vjen si rezultat i stimujve të qeverisë, por analistët thonë se tkurrja e politikave monetare nga Rezerva Federale mund të largojë interesin nga kriptovalutat.

Ndërkohë që yieldi u tërhoq më vonë gjatë Javës, analistët thanë se ishte pak zhgënjyese që bitcoin nuk reagoi aq pozitivisht. Bitcoin ka rënë ndjeshëm që prej Nëntorit, duke humbur mbi 40% nga niveli rekord prej 69,000 dolllarë.  Disa ekspertë paralajmëruan se tregu i kriptovalutave mund të drejtohet në një përmbysje së shpejti, ndërkohë që mbikqyrja e shtuar rregullatore dhe luhatjet intensive në çmim, kanë nxirë perspektivën.  Rregullatorët po gjurmojnë gjithashtu kriptovalutat. Kina ka ndaluar të gjithë aktivitetet e lidhura me to dhe autoritetet amerikane po rrisin mbikqyrjen në disa aspekte të caktuara të tregut.

Klevis Llaha / SCAN

Ju rekomandojmë