Shqiptarët po e përdorin gjithmonë e më shumë internetin, ndërsa pandemia i shtyu ata të provojnë edhe blerjet online. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për vitin 2021, mbi 1 në 5 persona, apo 21.4% e popullsisë 16-74 vjeç bëri blerje përmes platformave në internet apo rrjeteve sociale. Kjo shënon një rritje të lehtës kundrejt 2020-ës dhe dyfishim të tregtisë online krahasuar me nivelet para pandemi.
Shqiptarët shpenzojnë kryesisht për veshje, këpucë dhe aksesorë, por edhe për produkte të tjera si ushqimet në supermarkete apo produkte të tjera shtëpiake.
Lulëzimi i tregtisë online shoqërohet edhe me problematikën e informalitetit të lartë. Pasi shumë faqe që ofrojnë produkte janë tërësisht informale, të paregjistruara dhe pa një adresë, çka përbën rrezik për konsumatorët.
E-commerce mbetet industria me potencialin më të lartë në Shqipëri. Kjo për faktin se ka qenë shumë pak e zhvilluar dhe shqiptarët kanë qenë tradicionale në blerjet e tyre, duke preferuar dyqanet fizike.
Sipas INSTAT, vitin e shkuar vetëm 13.3% e ndërmarrjeve realizuan shitje përmes faqes së internetit, rrjeteve sociale apo aplikacioneve të dedikuara.