Reklama

Tregjet botërore pësojnë tronditjen më të madhe prej një dekade

Pas nisjes së bombardimeve të Rusisë në Ukrainë, bursat botërore kanë pësuar ndër tronditjet më të mëdha të dekadës së fundit.

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë arritur në mbi 100 dollarë për fuçi, nivele që nuk janë parë nga shtatori i vitit 2014, shoqëruar me frikën se mund të ketë ndërprerje të furnizimeve, nëse sanksionet e Perëndimit prekin eksportet ruse.

Shtrenjtim me gati 10 për qind kanë pësuar edhe tregjet e energjisë elektrike dhe grurit e miellit.

As tregu i monedhave virtuale nuk ka mbetur pa u prekur. Referuar agjencisë “Bloomberg”, kriptomonedha Bitcoin pësoi rënie me 8 për qind, fill pas orës 05:55 minuta, kohë kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi operacionin ushtarak në Ukrainë.

Ari dhe monedha kombëtare e Japonisë, jeni – të konsideruara streha të sigurta gjatë pasigurive globale – po ashtu kanë pësuar rritje të konsiderueshme.

Tregjet e aksioneve në Hong-Kong, Sidnei, Mumbai dhe Seul, kanë rënë për më shumë se 3 për qind, ndërsa ato në Tokio, Singapor, Tajpej dhe Uellingon kanë rënë më shumë se 2 për qind.

Rënie të ndjeshme kanë pësuar edhe tregjet e aksioneve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë Rubla ruse është zhvlerësuar me 9 për qind, duke nxitur bankën qendrore të Federatës Ruse të ndërhyjë për të stabilizuar tregun.

Ekspertët parashikojnë që kriza në Ukrainë do të reflektohet së shpejti në Europë e Ballkan, pa përjashtuar Shqipërinë, vend i cili ka një farë varësie për grurë, miell, gizë, çelik e lëndë djegëse./ Bloomberg

Ju rekomandojmë