Prodhuesi i makinave më të shitura në botë Toyota tha të martën se nuk pret më të arrijë objektivin e tij vjetor të prodhimit me operacionet e penguara nga kriza globale e çipave. Një mungesë mbarë botërore e mikro-çipave — komponentë thelbësorë të makinave moderne — ka detyruar shumë prodhues automjetesh, përfshirë Toyota-n, të ngadalësojnë ose të ndalojnë përkohësisht prodhimin.
Në shtator, gjigandi japonez uli numrin e automjeteve që shpresonte të prodhonte deri në mars 2022 në nëntë milionë, nga 9.3 milionë. Por të martën kompania tha se shkurtimet e reja të prodhimit të planifikuar të fabrikës muajin e ardhshëm nënkuptonin se nuk kishte gjasa të përmbushte objektivin e saj të ri.
Por “për shkak të ndikimit të kërkesës së vazhdueshme për gjysmëpërçues në të gjitha industritë”, kompania tha se kishte reduktuar objektivin e saj të prodhimit global për shkurt në rreth 700,000 njësi, rreth 150,000 më pak se më parë.
Objektivi i muajit të ardhshëm është akoma më i lartë se 668,000 njësitë e Toyota-s të prodhuara në shkurt 2021, ndërsa ajo përpiqet të kompensojë prodhimin e humbur për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve dhe ndërprerjes pandemike të zinxhirëve të furnizimit në Azinë Juglindore.
Objektivat janë vetëm për automjetet Toyota dhe Lexus, jo markat e tjera të grupit të automjeteve Daihatsu dhe Hino. Toyota tha se do të ndalojë operimet për disa ditë muajin e ardhshëm në 11 linja prodhimi në tetë nga 14 fabrikat e saj japoneze. AFP
Edel Strazimiri / SCAN