Komuniteti i startup-eve në Shqipëri pati fatin të kishte mes tij ekspertin e kësaj fushe, mentorin dhe nxitësin e zhvillimit të shpejtë të startup-eve, Tal Catran. I mbërritur nga Izraeli, ai u bë pjesë e disa eventeve të programeve në vend. Në Korcë ne patëm fatin të ishim me të. Në një intervistë për Businessmag, ai ftoi të rinjtë shqiptarë të mendojnë për tregun ndërkombëtarë, të jenë të hapur dhe të përgatitur për këtë. Shqipëria është një vend i vogël, sipas tij dhe mundësia e zhvillimit vjen vetëm nëse jemi të hapur e të përgatitur.
Gerti Boshnjaku: Mendoni se kemi të njëjtën frymë si Izraeli, përsa i përket fleksibilitetit dhe realizimit të gjërave, me pak planifikim?
Tal Catran: Mendoj se para së gjithash, me pak shtytje, po, ama dikush duhet t’ju shtyjë ende. Njerëzit thjesht do qëndrojnë dhe vështrojnë. Në një farë mënyre, duhet të ndërtohet besimi, dhe kur je i turpshëm ose kur ke frikë nga dështimi sepse të gjithë mund të të drejtojnë gishtin, ti mendon përse duhet të jem ndryshe, do të jem si gjithë të tjerët dhe kur të gjithë nuk bëjnë asgjë, thjesht nuk shkoni askund. Ka gjithmonë përjashtime, sepse ju keni ende qindra startup-e, por, dëshironi të keni në mijëra, dhjetëra mijëra.
Gerti Boshnjaku: Këtu kam një pyetje, sepse ju keni shumë përvojë nga Izraeli që është një komb Startup-esh, këtu në Shqipëri kemi shumë vite që po mundohemi të zhvillojmë ekosistemin dhe po ndodhin shumë gjëra, veçanërisht në Tiranë por ende na mungojnë, le të themi, histori suksesi që shkojnë përtej Shqipërisë, nuk kemi ende ndonjë startup për të cilin të themi ky startup nga Shqipëria ka arritur këtë sukses në një gamë globale apo europiane. Si ka qenë kjo periudhë në Izrael, ishte e dobët apo kishte shumë investime?
Tal Catran: Nuk do ta dija sepse ajo periudhë është në historinë tonë, domethënë ka ndodhur shumë kohë më parë. Dëgjo, nëse kultura në një farë mënyre ose mënyra e sjelljes së startupeve është si njerëzit që kam parë këtu, disi të rezervuar, nuk angazhohen shumë shpejt, si mund të komercializohesh dhe të bëhesh i suksesshëm ndërkombëtarisht kur nuk ka komunikim. Si mund të ndodhë që sot, megjithese shumë nga pjesmarresit ishin të rinj, ne ende nuk flasim anglisht, pse po flasim shqip, shoh vende të tjera ku gjithë popullsia është problemi, ata nuk flasin anglisht por shkollat i mësojnë të rinjtë, këtu është disi e kundërta, ju po i jepni opsionin të zgjedhin të flasin anglisht apo shqip, dhe ata thonë shqip. Nuk mund të jetë kështu, ti nuk i pyet, u thua do të flasim anglisht dhe pikë.
Kur do të dalë ky emër i madh nga Shqipëria? Kur Shqipëria ta vendosë, kur të vendosin njerëzit se është koha për t’u ndërkombëtarizuar dhe për të kuptuar se Shqipëria është e vogël. Kjo është arsyeja pse kur thoni tregu im i synuar është Shqipëria, them e keni seriozisht? Jo, pra objektivi juaj është Europa, mirë, atëherë mësoni anglisht, shikojeni veten diku. Për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Izrael, ju duhet të flisni me njerëzit, duhet të angazhoheni me njerëz, por kur qëndroni të rezervuar, si do të ndërkombëtarizoheni?
Gerti Boshnjaku: Duhet të ndërhyj këtu sepse është dita juaj e dytë le të themi në Shqipëri dhe ajo që keni parë këtu nuk janë startup-et e vërteta dhe dua të flas edhe për këtë, duket se gjithçka ndodh në Tiranë, Tirana është qendra, dhe kur flasim për ekosistemin e Shqipërisë flasim kryesisht për Tiranën, cili është sugjerimi juaj, si mund ta përhapim këtë atmosferë nga Tirana në Korçë dhe qytete të tjera sepse Tirana është ndryshe, nuk është kështu, ne jemi le të themi disa vite më përpara, në Korçë jemi në Tiranën e shtatë viteve më parë. Si mund ta bëjmë këtë tranzicion dhe ta kalojmë këtë njohuri, frymë dhe gjithçka në qytete të tjera?
Tal Catran: Para së gjithash në dy ditët e fundit të qëndrimit në Tiranë, jam takuar me Growpreneur dhe Uplift, kam dëgjuar startup-et, dhe po, janë të mahnitshëm. E pranoj këtë, por iniciativa e tyre për t’u rritur jashtë Tiranës nuk ndryshon nga vende të tjerë në botë, dua të them, eja në Izrael, ku do ta shihni shumicën e startupeve, në Tel A Viv, shko në Lituani, Vilnius, shko në Rumani, Bukuresht, shko në Hungari, Budapest. Është gjithmonë kështu, vendi më i pasur, që zakonisht është kryeqyteti, është vendi ku ndodhen të gjitha startup-et ose kryesisht të gjithë, pse? Akademitë më të mira janë atje, investitorët janë atje, qeveria është atje, kështu që pse të jesh diku tjetër?
Kur doni të shihni ndryshim, duhet të ndërmerren disa hapa, kjo nuk do të fillojë nga ana e ekosistemit, domethënë startup-et, duhet të fillojë nga qeveria dhe bashkia. Kur qeveria vendos: “Duam të vendosim Korçë në qendër të vëmendjes!”, u thotë startupeve shumë thjesht: “Doni përfitime? Shkoni në Korçë! A doni financim? Qëndroni në Korçë. Ndoshta edhe diku tjetër përveç Korçës. Qeveria do të të ndihmoj por jo nëse je në Tiranë, nuk ka arsye sepse mund ta bësh vetë, do të të ndihmoj ku është e vështirë, do të të ndihmoj kur kultura nuk është ende gati, kur infrastruktura nuk është e duhura, kur nuk ke kushte, këtu do të të ndihmoj”. Sa i zgjuar duhet të jeni për të kuptuar këtë?
Gerti Boshnjaku: Në fakt po pyesja edhe në kushtet e një startup-i apo një të riu, nëse jetoj në një qytet tjetër dhe do doja të zhvillohesha vetë, kam një ide dhe dua ta realizoj. Çfarë mund të bëj?
Tal Catran: Shkoni në një akselerator. Pse duhet të largoheni nga qyteti juaj, cili është kuptimi?
Gerti Boshnjaku: Epo, kur asgjë nuk ndodh në qytetin tim…
Tal Catran: Duhet të përmend që këtu pashë një kryetar bashkie që është shumë i ndryshëm nga të tjerët, i cili është shumë i angazhuar. E pashë Ministrin e Mbrojtjes, shumë të angazhuar, shumë të prekshëm, ai është aty, ai ishte në këmbë dhe të gjithë donin një foto, donin të flisnin me të, ai është atje. Pra, nëse nuk e gjen këtë, shko dhe pyet, shko dhe thuaj: “Dua të rri në qytetin tim, nuk dua paratë tuaja, dua një program, dua një përshpejtues. A mund ta krijoni një për mua?”.
Kur nuk kërkoni para, njerëzit ju dëgjojnë! Kur thua se më duhet një program, bashkia do ta realizojë këtë program, si? Shumë thjeshtë, do marrin një program nga Tirana, do i thonë njerëzve që do ju ofrojmë këto gjëra, por nuk duam të emigroni nga Tirana në Korçë, ejani të trajnoni vendasit, trajnerët tanë do të kujdesen për ekosistemin këtu, ne duam njerëz vendas, mentorë lokalë, startup-e lokalë, menaxherë lokalë, gjithçka duhet të jetë lokale dhe pastaj ndoshta njerëzit do të emigrojnë nga Tirana këtu, ndoshta jo vetëm nga Tirana, ndoshta nga Maqedonia, ndoshta nga Kosova. Do të vijnë këtu dhe do të thonë: “Hej Korça u bë qendra e gjithçkaje!”. Këtu nis gjithçka. I thashë dje kryebashkiakut: “Dëshiroj që në hyrje të qytetit të vendosësh një tabelë të madhe që të thotë: “Dëshiron të jesh i suksesshëm? Eja këtu!”, “Suksesi juaj fillon këtu, në Korçë”. Nën shenjën “Mirë se vini në Korçë”, duhet të jetë “Suksesi juaj fillon këtu!”.
Gerti Boshnjaku: Është bukur, por ju ndoshta e bëni të duket kaq e thjeshtë, kjo është aftësia juaj e të treguarit. Unë jam i prirur të mendoj se cilat janë problemet tona në tërësi. Pra, mbase nëse mund t’i zgjidhim gjërat në qytete të ndryshme sipas mënyrës suaj, atëherë ndoshta duhet të punojmë më shumë për sa i përket angazhimit të të rinjve me këtë mentalitet sepse shoh që këtu askush nuk bën pyetje, ata janë shumë të turpshëm, kështu që si mund të bëjmë diçka për këtë, për të ndryshuar mendësinë e tyre, ose ku t’ia fillojmë?
Tal Catran: Unë thjesht do të përkthej atë që kam dëgjuar këtu shumë herë: “Tal, ti e bën të tingëllojë kaq e thjeshtë.” Mendoj se përshtypja e të qenit kaq e thjeshtë, së pari, është sepse flas fjalë të thjeshta, së dyti, kam vetëm zgjidhje, nuk kam probleme, jap vetëm zgjidhje, tre, zgjidhje praktike, të lehta për t’u bërë. Jo si përshembull, më jep një miliard dollarë. Unë nuk kam një miliard, nuk do t’ju kërkoja kurrë as një monedhë, thjesht ju jap zgjidhje praktike që nuk ju kushtojnë asgjë, vetëm vëmendje. Pra, së pari, thjesht për të sqaruar këtë, unë nuk jam shkencëtar raketash, nuk po ndaj sekrete që nuk mund t’i gjeni askund, thjesht po jap një mënyrë shumë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë për ta zbatuar, për të qenë praktik. E dini cila është pjesa qesharake, megjithëse tingëllon kaq e thjeshtë, nuk e di se sa nga ajo që ju dhashë do të shndërrohet në veprim. Është në duart e njerëzve, njerëzit duhet ta bëjnë këtë.
Nga ana tjetër, njerëzit këtu janë të turpshëm sepse kjo është pjesë e kulturës së tyre, së dyti ishte një ditë emocionuese, ministri ishtë këtu, kryetari ishtë këtu, delegatët janë këtu, flitet në anglisht, pastaj vjen ky djali nga Izraeli, nuk është një ditë e zakonshme. Por numri i njerëzve që m’u afruan, më thonin ke shumë impakt, je kaq frymëzues, kaq, kaq, kaq i thjeshtë për t’u kuptuar, problemi është se nuk mbetet asgjë një ditë pas. Ky është problemi më i madh! Të gjithë do të shkojmë në shtëpi pas koktejit, duke u ndjerë mirë me veten, me stomakun plot, do të zgjohemi të dielën dhe do të themi: Po tani? Ku të shkojë? Çfarë të bëjë? Duhet të ketë një vazhdim, duhet të ketë një ditë pas programit, duhet të ketë një plan dhe duhet të ketë njerëz që në këtë fazë do t’i mbajnë për dore dhe do t’i udhëheqin.
Ne kemi përvojë me njerëz që janë mentorë, kush i bëri ata mentorë? Kush i trajnoi ata? Ju nuk zgjoheni dhe thoni hej, unë jam një mentor sot, askush nuk i mësoi ata gjithashtu. Kemi universitetin sot këtu, pyetini, ju si universitet a trajnoni për sipërmarrje? Keni një diplomë që thotë: “Inxhinier Softuerësh dhe Sipërmarrës”? Jo. Pse? Është e thjeshtë, thjesht e shtoni, por nevojitet ta mësoni. Shumë elementë janë rreth nesh, dikush duhet t’i strukturojë të gjithë së bashku, të vendosë gjithçka në vendin e duhur, tani është disi e shpërndarë. Së fundi, unë kam ende këtë ndjesi të çuditshme që megjithëse ky vend është shumë i vogël, njerëzit këtu konkurrojnë jo për arsyet e duhura, në vend që të kuptojnë se jeni një numër kaq i vogël njerëzish, saqë të gjithë tërhiqeni ose shtyni drejt të njëjtit drejtim, disa nga ju janë këtu disa jo, për çfarë? Për etje, për para, për biznes, kjo nuk mund të ndalet plotësisht, por duhet të jetë në diskutim. Pse nuk po shkojmë të gjithë në të njëjtin drejtim? Drejtimi në të cilin po shkojmë duhet të jetë i qartë, më pas duhet të jenë KPI-të, si do ta dini se e kemi arritur të bëjmë atë që sapo i kemi premtuar vetes? Ku janë numrat, sasia, sa startup-e duam për vitin 2022, ku është plani? Ku është numri?
Gerti Boshnjaku: Mendoni se ky proces mund të drejtohet nga qeveria apo mund të dalë me një propozim nga bizneset, apo shoqatat apo ndërtuesit e ekosistemit? Si funksionon sipas jush?
Tal Catran: Kur përmendim qeverinë dhe komunën, përmendim vetëm paratë, pse? Sepse iniciativa sinqerisht duhet të vijë nga sektori privat, domethënë nga ata. Unë mund t’i marr para kryetarit, por nuk mund t’i them të më japë para. Mund t’i them kryetarit, dëgjo, ky është plani im, do të fillojë në këtë datë, do të jetë kaq, do të përfundojë këtu, kur të mbaroj këto do të jenë rezultatet, këto janë numrat, KPI-të, për këtë unë kam nevojë për 5000, atëherë që t’ju thonë jo do të jetë vërtet e vështirë.
Fillimisht kryetari tha se tema kryesore është inovacioni, mirë, ku i keni paratë? Vendosni paratë tuaja atje ku është fjala juaj. Po e them për mirë sepse më tha vazhdo, unë jam me ty. Ministri po ashtu, ai tha: “Tal ne kemi nevojë për histori suksesi.”, unë thashë në rregull, nëse dua që fëmija im të jetë i suksesshëm, më duhet t’i jap ndihmë. Nuk do t’i them fëmijës tim “paguaje ti”, i paguaj unë por para së gjithash do të sjell më të mirat nga më të mirat, së dyti çdo ditë dua të më raportosh, më thuaj çfarë ke mësuar ku po shkojmë, a jemi sipas planit, a po përmbushni objektivat, po i përmbushni KPI-të? Nëse po, po, nëse jo, jo, thjesht dua ta di. Kështu e rrit ekosistemin. I merr për dore dhe i realizon. Mos prisni fatin t’ju vijë. /businessmag/