Reklama

Sindikatat kërkon të mos jetë nën këtë shumë paga minimale

Paga minimale vazhdon të mos ndryshojë në Kosovë. Premtimet e ekzekutivit për ngritje të pagës minimale në 250 euro nuk i afrohen kërkesave të sindikatave që tashmë kërkojnë që të mos jetë nën 400 euro pas rrethanave të reja të krijuara. Opozita mendon se ngritja e pagës minimale është e domosdoshme për shkak të ngritjes së çmimeve, krizës energjetike e pandemisë.

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35-vjeç.

Sipas nenit 57 të Ligjit të punës, paga minimale duhet të përcaktohet duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, përqindjen e shkallës së papunësisë, si dhe gjendjen e përgjithshme në tregun e punës dhe përcaktohet për periudhën njëvjeçare.

Përkundër se vitin e kaluar kërkuan që paga minimale të jetë 350 euro, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, tha për KosovaPress se tashmë nuk duhet të ketë propozime nën 400 euro për pagë minimale pas rritjes së çmimeve dhe largimit të punëtorëve jashtë vendit.

“Faktikisht ne kemi propozuar që të jetë 350 euro, megjithëse këto çmime që janë dhe kjo situatë çfarë është, edhe kjo ikje e punëtorëve që është duke dalë jashtë, mendojmë se nën pagën 400 euro gjithçka çka mendon dikush se po kryen punë me këtë pagë është e kotë. Kërkesa nuk është miratuar, ne herë pas here ia tërheqim vërejtjen që nuk kanë lëviz në pagën minimale, përndryshe po e them nëse kryeministri ose kushdo qoftë tjetër mendon që paga minimale do të jetë e arsyeshme me një pagë 250 ose 300 euro, po them kjo është një pagë e tejkaluar dhe ne nuk duam as të merremi me të”, ka thënë Azemi.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, njëherësh deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, deklaroi se inflacioni, kriza energjetike dhe situata me pandeminë e kanë bërë të detyrueshme rritjen e pagës minimale.

“Nëse ndalemi dhe i shikojmë rrjedhat dhe zhvillimet socio-ekonomike të vendit e sidomos në këtë 6-mujorin fundit, është e domosdoshme ngritja e pagës minimale dhe nëse duam të besojmë në parametrat që na i prezanton Qeveria aktuale Kurti se kemi rritje 9 deri në 10% dhe një inflacion mbi 12% se e kemi një situatë të tillë pandemie do të thotë që është mjaftë shqetësuese për të gjithë popullatën sepse kemi një krizë energjetike të veçantë në raport me situatën normale atëherë është e domosdoshme të besojmë që paga minimale është obligative të rritet në këtë rast sepse të gjithë këta faktorë që i numërova janë ndikues direkt tek punëtorët, tek kategoritë sociale dhe të gjithë ndërmarrësit dhe punëtorët e tjerë. Pra është e domosdoshme rritja e pagës minimale por e mbështetur në këta faktorë që i përmenda, ajo duhet të jetë mbi 300 euro, pra 300 deri në 350 varësisht nga kalkulimet dhe llogaritjet që bëhen edhe në kuptimin buxhetor dhe financiar”, ka potencuar Shala.

Deputeti tjetër opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj, deklaroi për KosovaPress se qytetarët e kanë të vështirë jetesën në këtë kohë për shkak të rritjes së çmimeve prandaj shfaqet nevoja edhe për rritje të pagës minimale deri në 350 euro.

“Mendoj që ne si Aleancë për Ardhmërinë kemi mbështetur që të kemi një listë të miratuar në parlament, mirëpo fatkeqësisht nuk kemi hasur mirëkuptim tek Qeveria Kurti dhe tek kryeministri, dhe ajo që ne e kemi menduar është që të bëhet nivelizimi i pagave dhe tavani apo maksimumi që mund të jetë në bazë të asaj që e ka parashikuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mirëpo paga minimale duhet të jetë së paku 350 euro me që nisemi që mjaftë janë ngritur çmimet dhe këtë drejtim me zi po e përballojnë qytetarët e Kosovës në përgjithësi e sidomos ata që e kanë pagën minimale 250 euro apo edhe më pak”, ka përfunduar deputeti i AKR-së.

KosovaPress ka tentuar në vazhdimësi të marrë një qëndrim nga Ministria e Financave në lidhje pagën minimale, por nuk ka marrë përgjigje.

Më herët, kryeministri Kurti pati deklaruar se përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe rritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, ata të cilët kanë paga më të ulëta do të kenë më shumë para në xhep. /kp/Telegrafi/

Ju rekomandojmë