Njeriu më i pasur në botë, drejtuesi i Amazon, Jeff Bezos ka disa këshilla për të gjithë kolegët e tij biznesmen. I ftuar për të folur në konferencën ‘MARS’ në Las Vegas, ai i ka drejtuar disa thirrje nga përvoja e tij biznesmenëve të tjerë apo atyre që dëshirojnë të hyjnë në botën e biznesit.
“Gjithmonë qendërzojeni biznesin tuaj tek eksperienca e klientit dhe asnjëherë mos kini frikë të gaboni!”, ka thënë Bezos.
“Gjëja më e rëndësishme është të fiksoheni me klientin dhe të fokusoheni tek mënyrat se si ta lini atë sa më të kënaqur.”, ka vazhduar ai.
Amazon gjithmonë ka ofruar produkte me çmimin më të lirë të mundshëm, edhe pse kjo ndonjëherë ka sjell humbje në para. Por tani Amazon ka rreth 100 milionë njerëz të anëtarësuar rregullisht në platformën e vet.
Bezos foli edhe për dështimin në biznes, nga i cili nuk duhet pasur asnjëherë frikë, pasi prej atij mund të mësosh. Ai është shprehur se çdo biznesmen duhet ta konceptojë ndërmarrjen e tij si një eksperiment, dhe si tillë ndonjëherë mund të dështojë.
“Probabiliteti i suksesit është shumë i vogël, por e rëndësishme është të provosh sërish, akoma më shumë, dhe të pranosh e kuptosh humbjet e tua.”
Një element tjetër i rëndësishëm i përmendur nga Bezos për biznesmenët është pasioni. “Nuk është një ide e mirë të përfshihesh në biznes në fusha për të cilat nuk je i pasionuar. Duhet të kesh gjithmonë pasion për fushën në të cilën do punosh dhe për të cilën do lodhesh.”, ka përfunduar ai. SCAN