Reklama

Si funksionon Noor, centrali diellor më i madh termodinamik në botë?

Impianti më i madh diellor në botë ndodhet në Marok, në portat e shkretëtirës, është një xhevahir teknologjik dhe mund të na ndihmojë të ripërcaktojmë të ardhmen e energjisë, veçanërisht për Evropën.

Mega centrali diellor i Marokut 

I ndërtuar në shkretëtirën e Saharasë pranë qytetit të Ouarzazate Noor 1 është termocentrali termodinamik më i madh diellor në botë. Ai mbulon një sipërfaqe prej 1.4 km katror (ekuivalente me rreth 200 fusha futbolli).

Tapet pasqyre

Qindra pasqyra të lakuara, secila në madhësinë e një autobusi, janë të renditura në rreshta të rregullta. Kompleksi përdor tre teknologji të ndryshme: një sistem diellor të përqendruar 160 MW; një sistem diellor termodinamik 300 MW me pasqyra parabolike dhe një seri kolektorësh cilindrash parabolikë prej gjithsej 150 MW.

Si punon

Në një termocentral diellor të përqendruar (ose termodinamik) rryma elektrike nuk gjenerohet nga qelizat e silikonit (fotovoltaike), por merret duke ruajtur nxehtësinë dhe duke e përdorur atë për të prodhuar avull, i cili më pas vë në lëvizje turbinën elektrike.

Si një fushë me luledielli?

Pasqyrat lëvizin për të ndjekur Diellin, si një fushë gjigante me luledielli mekanike, dhe përçojnë energjinë e rrezeve të diellit drejt një absorbuesi, brenda të cilit rrjedh një lëng, zakonisht një vaj i veçantë ose një kripë në gjendje të shkrirë, i cili nxehet deri në 350°C dhe më pas lëshon nxehtësinë e akumuluar për të gjeneruar avull. Kjo teknologji quhet zakonisht Fuqia Diellore e Përqendruar ose, më thjesht, Csp.

Korridoret reflektuese

Pasqyrat përqendrojnë dritën e diellit drejt tubave të kryqëzuar nga një vaj i veçantë, i cili rrjedh në një qark të mbyllur dhe arrin temperaturat afër 350 gradë. Një pjesë e nxehtësisë së përthithur nga vaji ruhet në një rezervuar me kripë të shkrirë, e cila bëhet akumulator i energjisë potenciale, për t’u përdorur për të prodhuar energji elektrike edhe pas perëndimit të diellit, për një periudhë prej tre orësh. Qëllimi është të lejohet që termocentrali të prodhojë energji deri në tetë orë pas perëndimit të diellit, kur kërkesa për energji është më e lartë dhe kur energjia diellore fotovoltaike nuk është padyshim e disponueshme.

Hapi i parë

Ndërtimi i Noor 1 është në fakt vetëm hapi i parë i një projekti më të madh, i cili përfshin të paktën 3 impiante dhe që synon të çlirojë Marokun nga importi i lëndëve djegëse fosile. Synimi është që deri në vitin 2030 të merret 52% e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.

Financimi nga Evropa?

Rreth 60% e ndërtimit të një faze të uzinës, është financuar nga Bashkimi Evropian. Noor 1 ka tejkaluar tashmë pritshmëritë për sa i përket energjisë së prodhuar dhe është premtues i mirë për përdorimin e tepricës së energjisë elektrike në në të ardhmen në Evropë. Në fakt, Maroku është i vetmi vend afrikan që ka një linjë të drejtpërdrejtë të energjisë elektrike me Evropën.

Problemi i ujit

Këto impiante kanë një pikë të dobët: konsumin e lartë të ujit, pjesërisht i përdorur për të mbajtur të pastër sipërfaqen e pasqyrave por edhe për sistemet e ftohjes së turbinave dhe elementëve të tjerë të ciklit.

Pastrimi

Një mjet i motorizuar për pastrimin e pasqyrave: një herë në javë çdo pasqyrë parabolike duhet të lahet në mënyrë që rëra dhe pluhuri të mos cenojnë efikasitetin e saj. Një sistem pastrimi ajri është duke u studiuar për të reduktuar përdorimin e ujit.

Dielli – 330 ditë në vit

Me një mesatare prej 330 ditësh me diell në vit, Ouarzazate është vendi ideal për një instalim diellor. Megjithatë, kjo foto është bërë në një nga ditët e rralla me re: në këto raste stafi fokusohet te pastrimi dhe mirëmbajtja.

Kostot janë ende të larta

Megjithatë, energjia elektrike diellore është ende një produkt relativisht i shtrenjtë, ndërsa fermat e erës të instaluara në vende të favorshme prodhojnë energji elektrike me 5-8 cent euro për kilovat (një kosto jo shumë më e lartë se ajo e energjisë elektrike të prodhuar nga një termocentral modern). Energjia elektrike nga një fabrikë CSP ende kushton midis 16 dhe 22.5 cent për kilovat. Megjithatë, gjërat po ndryshojnë dhe kostot e energjisë elektrike të prodhuar nga termodinamika diellore po bien. Energjia diellore termodinamike po bëhet një alternativë ndaj asaj që prodhohet me lëndë djegëse fosile edhe në vendet e pasura me naftë: kjo dëshmohet nga fakti se impiante të ngjashme janë në ndërtim e sipër në Jordani, Dubai dhe Arabinë Saudite.

3 fazat

Ndërtimi i uzinës filloi në vitin 2013 në prani të Mbretit të Marokut Mohammed VI (në foto). Projekti përfundimtar përfshin 3 impiante: Noor 1, tashmë në funksion; Noor 2, i ngjashëm me të parën; Noor 3, siç shihet në model, do të mbledhë nxehtësinë diellore të reflektuar nga pasqyrat në një kullë. Ky është një sistem më efikas.

Kostoja totale e projektit

Kostoja totale e projektit vlerësohet në rreth 9 miliardë dollarë. Rezultatet përtej pritshmërive e bëjnë përdorimin e këtyre teknologjive interesante për shumë vende afrikane, veçanërisht nëse ata do të jenë në gjendje të ndërtojnë impiante të ngjashme pranë detit ose ku uji është i bollshëm. Në fakt, në terma afatgjatë, nuk ka burim më të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm energjie se Dielli. Pasi të amortizohen kostot e ndërtimit të termocentralit, ajo që mbetet është një sistem i sigurt, i cili ofron energji të pastër.

Madhësia

Objekti ka madhësinë e 200 fushave të futbollit dhe furnizon rreth një milion njerëz me energji elektrike të pastër. Në foto, Ministrja Marokene e Mjedisit Hakima El Haite, duke ecur përpara paneleve të një prej uzinës, e cila pritet të vihet në funksion pas disa javësh. /kosovo.energy/

/Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë