Reklama

Shtrenjtimi i rrymës, sot përfundon afati për propozime në ZRRE

Sot përfundon afati për të dhënë komente për raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin për konsumatorë.

Megjithëse, ishte paraparë që ky afat të përfundonte në fund të javës së kaluar, ZRRE-ja kishte vendosur ta shtynte duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente.

Deri më tani sipas ZRRE-së janë pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO si dhe ka pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, ku pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të dërgojë komentet e saj, por nuk është bërë e ditur nëse i kanë dërguar apo do t’i dërgojnë gjatë ditës para përfundimit të afatit.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar raportin konsultativ për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend, por jo edhe nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë prej 75 milionë eurosh. ZRRE-ja propozon që tarifa për konsumatorët me 800kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000kwh do të përballen me rritje prej 24.62 euro.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE-ja e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të rritet çmimi i rrymës me 9 për qind. Rritje e çmimit të rrymës me 9 për qind është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600kWh energji në muaj.

Në këtë rast, gjithashtu propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

Konsumatori që shpenzon 300kWh në muaj vlerësohet si konsumator që shpenzon energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje katër anëtarësh. Gjatë vitit, 20.5 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj, këta konsumatorë futen në kategorinë A. Konsumatori që shpenzon 450kWh në muaj paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit.

Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që shpenzojnë mbi 300kWh në muaj, është ~ 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar më 2021 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300kWh/muaj energji elektrike është rreth 440kWh. Gjatë vitit, 44 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj. Këta konsumatorë futen në kategorinë B.

Ata me konsum 600kWh në muaj paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit dhe 79 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës. Këta konsumatorë futen në kategorinë C.

Ndërsa, konsumatori që shpenzon 800kWh në muaj paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar, këta konsumatorë futen në kategorinë D, mirëpo ai që shpenzon 1,000kWh në muaj paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike futen në kategorinë E. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë