Reklama

Sa vende pune do të kushtojë heqja e motorit me naftë për Vetura?!

Gjithnjë e më shumë shtete po shpallin fundin e epokës së motorit me djegie. Industria e automjeteve po ndryshon prodhimin drejt mobilitetit elektrik. Po sa vende pune do t’i kushtojë shoqërive ky transformim?

Pas njoftimeve të viteve të fundit për mundësinë e humbjes së vendeve të punës në industrinë e automjeteve, që arrinin shifrat e qindra-mijë vetëve, rezultatet e studimeve të fundit duken më optimiste. E gjitha lidhet me pyetjen, se si do të jetë e ardhmja e punëmarrësve që e kanë të lidhur vendin e punës me prodhimin e motorëve me djegie. “Rregullimi europian i vlerave kufizuese të CO2-it, si edhe bërja publike e ndalimit të motorit me djegie në tregjet e rëndësishme të shitjes do të sjellin fundin e këtyre motorëve në autostradat gjermane”, thotë Oliver Falck nga Instituti Ekonomik, Ifo në Mynih, drejtues i sektorit të industrisë ekonomike dhe teknologjive të reja.

Ajo që mbetet të dihet është, nëse kjo kohë do të jetë viti 2030 apo ndoshta pak vite më vonë. Prodhuesit gjermanë të automjeteve janë të vetëdijshëm për këtë ndërrim epokash dhe po investojnë ndërkohë në motorët e teknologjisë së re. “Sipas shifrave të para kohës së pandemisë në Gjermani rreth 614.000 vende pune lidhen drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt me prodhimin e motorit me djegie”, thekson Falck.

Dihet se automjetet elektrike janë më të thjeshta për t’u prodhuar, se motorët me djegie. Ato nuk kanë nevojë për motorë të komplikuar apo struktura të tjera komplekse makinerie. Prodhuesit e këtyre komponentëve do të goditen më shumë nga ky zhvillim, sa më shumë të marrë hov mobiliteti elektronik. Sidomos kjo cenon ekzistencën e shumë firmave të vogla furnizuese të specializuara për teknologjitë e motorit me djegie.

Sipas një studimi të kryer nga Ifo me porosi të Shoqatës së Automobilëve, VDA deri në vitin 2030 preken nga këto zhvillime rreth 215.000 vende pune. Por në të njëjtën kohë 147.000 punëtorë të kësaj dege do të dalin në pension. “Me këtë krijohet një boshllëk i ndjeshëm mes të punësuarve të prekur dhe largimit të pritshëm nga puna”, thuhet në studim.

Kurse nga një studim i Institutit Angora – Kthesa e mobilitetit dhe firmës konsultuese Boston Consulting Group (BCG), transformimi drejt elektromobilitetit madje mund të sjellë në fund edhe një sasi plus të vendeve të punës që nga studimet është llogaritur deri në 25.000 vende. Llogaria që bëhet është kjo: Deri në vitin 2030 do të bëhen të panevojshme 70.000 vende pune tek prodhuesit e automjeteve, sepse disa segmente prodhimi bien. Furnizuesit llogaritet të humbasin 95.000 vende pune, sepse produkte të caktuara speciale nuk do të nevojiten më. Në servise pritet të humbasin 15.000 vende pune, pasi automjetet elektrike kanë nevojë për më pak riparime se motori me djegie.

Këtyre shifrave u qëndrojnë përballë 190.000 vende të reja pune në sektorin e prodhimit të baterive si edhe në infrastrukturën energjetike dhe prodhimin e ngritjen e një rrjeti efektiv të karikimit. Në repartet e prodhimit dhe shërbimeve të këtij sektori pritet të krijohen 15.000 vende pune, sepse edhe serviset duhet të rikonceptohen e përshtaten.

Eksperti i BCG-së, Kristian Kuhlmann është i mendimit, se vendet e punës në industrinë e automobilave dhe industritë e lidhura me to në vitin 2030 do të jenë po ato të krahasuara me vitin 2020. Shumë punëmarrës duhet ‘i dalin ballë sfidave të reja në vendin e punës, shton konsulenti për DW. “Nga rreth 1,7 milionë të punësuar në industrinë e automobilave si edhe furnizuesit e tyre në Gjermani rreth 760.000 syresh do të kenë nevojë për trajnime specifike, për të pasur punë edhe në të ardhmen në këtë sektor.”

Sidomos furnizuesit e vegjël apo sipërmarrje të tjera kanë nevojë për mbështetjen e fondeve publike tek financimi dhe zbatimi i programeve të shkollimeve të reja. “Qëllimi duhet të jetë që në transformimin strukturor të mënjanohet mundësisht papunësia afatgjatë”, thotë eksperti i Ifo-s, Oliver Falck. Prandaj kërkohet një angazhim i përbashkët i sipërmarrjeve, shoqatave, dhomave të industrisë së automobilave, politikës dhe agjencisë së punësimit, përfundon Falck. DW

SCAN

Ju rekomandojmë