Niveli i të ardhurave për frymë është padiskutim treguesi kryesor i mirëqënies së qytetarëve në një shtet. Tregues të shumtë të kësaj natyre tregojnë se Shqipëria është ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulta në rajon dhe më gjerë. “Scan Intelligence Unit” ka bërë një analizë gjithpërfshirëse të të ardhurave, për t`i dhënë përgjigje pikërisht pyetjes se sa të ardhura për frymë kanë shqiptarët në një vit ose në një muaj. Në analizë janë marrë të ardhurat nga paga, biznesi, pensionet dhe mbrojtja sociale, si dhe remitancat, si burimet kryesore. Fitimet neto nga biznesi janë përfshirë në këtë analizë duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë varet nga këto fitime. Nga kjo analizë e zgjeruar, sa i përket të ardhurave nga pagat janë marrë të dhënat që kanë rrjedhur së fundmi, të cilat sipas një filtri paraprak bazuar në kryqëzimin e këtyre të dhënave me ato zyrtare, rezultojnë të jenë të sakta, ose shumë të përafërta.
Nga të 4-tët zërat e marra në analizë, dalim në pëfundimin se të ardhurat vjetore të shqiptarëve janë rreth 7.06 miliardë euro në vit. Për të nxjerrë treguesin e të ardhurave për frymë është marrë e gjithë popullsia, pra edhe të miturit, duke qenë se edhe ata janë konsumatorë në një ekonomi tregu. Në total, të ardhurat për frymë vjetore të shqiptarëve janë 2494 euro. Ndërsa, ato mujore, fiksohen në 207 euro për frymë. Kaq duket të jenë të ardhurat mesatare të një shqiptari në një muaj, për çfarëdolloj moshe dhe kategorie, të paktën bazuar në kanalet formale.
Zëri që mban peshën më të madhe është pikërisht ai i pagave, me rreth 374 mld lekë në vit bruto, ose rreth 3 miliardë euro. Kjo shifër bazohet në një projeksion të thjeshtë mbi bazën e të dhënave të pagave të muajit prill të vitit të kaluar. Duhet theksuar gjithashtu fakti se kjo shumë është bruto, pra jo e taksuar, dhe në xhepat e qytetarëve “përfundon” e reduktuar, sipas normës progresive të tatimit. Duke marrë një normë mesatare tatimi prej rreth 13%, pa përfshirë këtu kontributet shoqërore dhe shëndetësore, atëherë shifra zbret në 325 mld lekë, ose rreth 2.7 mld euro. Në vend të dytë si burim të ardhurash është ai i fitimeve të biznesit, me rreth 200 mld lekë në vit, ose rreth 1.7 milardë euro. Këto të dhëna janë të bazuara mbi një projeksion mbi fitimet e 11 muajve të parë të vitit të kaluar. Edhe këtu duhet theksuar fakti se mungojnë fitimet e biznesit të vogël që i përjashtohet tatimit mbi fitimin, pra ata me të ardhura nën 14 milionë lekë në vit. Në vend të tretë ndjek mbrojtja sociale, me rreth 173 mld lekë, sipas buxhetit të vitit të kaluar, ose rreth 1.45 mld euro. Në vend të fundit kemi remitancat me rreth 160 miliardë lekë, ose rreth 1.3 mld euro.
Shifra përfundimtare prej 207 eurosh për frymë për çdo shqiptar në muaj, siç u përmend më sipër bazohet vetëm në kanalet formale. Përveç mbrojtjes sociale, të 3 zërat e tjerë kanë një marzh të lartë informaliteti, i cili bën që shifrat të jenë të cunguara. Pra, kjo shifër tregon jo vetëm një nivel mjaft të ulët të ardhurash për frymë, që e bën të papërballueshme jetesën, por edhe tregon se niveli i informalitetit është mjaft i lartë, dhe gjithashtu pabarazia. Shifra është e përafërt, pasi siç e kemi theksuar më lartë, ka disa përjashtime, dhe përjashtimi kryesor i referohet fitimit të biznesit të vogël me të ardhura nën 14 milionë lekë në muaj, që nuk figuron në këtë analizë.
*Material i përgatitur nga SCAN