Deklarata
Media online “Thejournal24h”: “E fundit: Propozohet që nga trusti të tërhiqen përsëri 20-30% të kursimeve. A pajtoheni”.
Media online
Vlerësimi
RRENË E KRYPTË
Qeveria e Kosovës nuk e ka në planë që t’i mundësojë qytetarëve që të tërheqin deri në 30% të kursimeve pensionale. Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.
Artikulli
Disa media kanë publikuar një lajm se Qeveria e Kosovës do të marrë vendim që t’iu mundësohet qytetarëve tërheqje e kursimeve pensionale në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, deri në 30%.
Media online “Thejournal24h”, ka publikuar lajmin me titullin: “E fundit: Propozohet që nga trusti të tërhiqen përsëri 20-30% të kursimeve. A pajtoheni”.
Lajmi është publikuar edhe disa portale të tjera. Lajmet e publikuar në disa portale e kanë cituar portalin ABC News Kosova, mirëpo në këtë portal nuk është gjetur asnjë lajm i tillë.
Në lajmin e publikuar, duke u thirrur në një burim të besueshëm brenda kabinetit të kryeministrit, kjo media shkruan se Qeveria është duke përgaditur pako financiare për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës me qëllim të përballimit të rritjes së çmimeve.
“Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, duke parë situatën që do të rëndohet edhe më shumë, është duke shqyrtuar mundësinë, që përmes Trustit Pensional të Kosovës, t’iu mundësojë qytetarëve të tërheqin një sasi të hollave që i kanë të grumbulluara në këtë fond”, thuhet në artikull.
“Sipas burimit që kemi mbrenda kabinetit të kryeministrit Kurti, po thuaj kjo çështje është e mbyllur, por vetëm ështu duke u diskutuar shuma që do të tërhiqet ku është propozuar shuma 20 ose 30%.E gjithë kjo mbetet të shifet gjatë muajit dhjetor të këtij viti, kur edhe është planifikuar të miratohet kjo pako financiare”, thuhet në këtë lajm.
Ndërsa lajmin e ka demantuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili për KALLXO.com tha se ky lajm nuk është i vërtetë.
“Ky raportim-lajm është i pavërtetë”, u përgjigj shkurtimisht Kryeziu për KALLXO.com. /Kallxo.com/