Reklama

Qytetarët e Kosovës po shesin dhe blejnë banesa me kriptovaluta

Nga pagesa e kafesë deri te blerja e banesave, qytetarët në Kosovë, në disa kompani, mund të përdorin kriptovaluta.

Sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e transaksioneve të bëra për blerjen e kriptovalutave në Kosovë, në gjashtë vjetët e fundit, ka arritur në rreth 10 milionë euro, ndërsa shitja e tyre kap shumën e 1.76 milion eurove.

Nga kureshtja për t’u njohur me paranë dixhitale, lokali i pijeve “N’dritare”, në qytetin e Ferizajt, ka filluar pagesën e produkteve, konkretisht të kafesë dhe pijeve të tjera, me kriptovaluta, qysh në vitin 2018.

Alban Bytyqi, bashkëpronar i këtij lokali, thotë se interesimi i qytetarëve për këtë lloj pagese ka qenë më i madh para tre vjetësh, sesa tani.

“Më shumë ka qenë si atraksion për qytetarët që e kanë shfrytëzuar si formë pagese [kriptovalutën]. Tash ka rënë në zero [pagesa] me Bitcoin, pasi qytetarët kanë nisur ta kuptojnë se Bitcoin është më i mirë si formë e kursimit, sesa si formë e pagesës”, thotë Bytyqi për Radion Evropa e Lirë.

Në botë ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.

Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 10 mijë operatorë të identifikuar -persona fizikë dhe juridikë – llogaritet se kanë investuar apo përdorin kriptovaluta.

Kompania ndërtimore “Pozhegu Brothers”, me seli në Prishtinë, ka kohë që ka filluar ofertën e shitjes së banesave me Bitcoin.

Pronari i kompanisë, Qemajl Pozhegu thotë se ka interesim të madh për të paguar me para digjitale, sidomos nga të rinjtë, porse ende nuk është realizuar ndonjë shitblerje.

“Ne nuk pranojmë Bitcoin, por bashkëpunojmë me Zyrën e Këmbimit Valutor që operon në Prishtinë. Nëse klienti vjen të blejë banesë më kriptovalutë, ne e lidhim me këmbimore. Ata i transferojnë mjetet nga kriptovaluta në euro dhe klienti paguan produktin me euro”, thotë Pozhegu.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa zyra të këmbimit valutor, për t’u interesuar për mënyrën e blerjes dhe shitjes se kriptovalutave.

Në këto zyra, qytetarët mund të blejnë, shesin apo hapin llogari të kriptovalutave.

Sipas punonjësve, tregtimi me kriptovaluta nuk është proces i vështirë, por ata nuk japin shumë detaje. Ata thonë se interesimi i qytetarëve është i madh, sidomos për blerjen e tyre. Pronarët e këmbimoreve në Prishtinë nuk kanë pranuar të prononcohen dhe identifikohen.

Në Bankën Qendrore të Kosovës, këto zyra janë të licencuara për këmbimin e valutës vendase me valuta të huaja dhe anasjelltas, por jo për këmbim të parasë digjitale.

Më 3 dhjetor, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lëshuar një komunikatë për media, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë tatim për to.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë për Radion Evropa e Lirë se për administratën, nuk është me rëndësi se cilën valutë e përdor biznesi apo qytetari; e rëndësishme, sipas tij, është të kryhen obligimet tatimore.

“Kemi informata për zhvillim të këtyre aktiviteteve. Numra nuk mund të themi, sepse ndryshojnë nga dita në ditë dhe nga çasti në çast, mirëpo këto transaksione do të trajtohen nga ATK-ja, sepse e kemi detyrim ligjor që të trajtojmë çdo aktivitet ekonomik, që zhvillohet brenda territorit të Kosovës”, thotë Murtezaj.

Bytyqi tregon për Radion Evropa e Lirë se si i ka paguar tatimet për qarkullimin që ka pasur në kriptovaluta.

“Kemi pasur vizitë nga ATK-ja dhe ia kemi sqaruar se kur klienti bën porosi, kuponin fiskal ne e printojmë në euro, nuk kemi të drejtë të lëshojmë kupon fiskal në Bitcoin. Mirëpo, pagesën e marrim në llogarinë tonë personale të Bitcoinit. Nuk kemi llogari të biznesit në Bitcoin, sepse nuk ka ligj që e rregullon këtë çështje në Kosovë. Por, ato mjete i kemi bartur në llogari personale”, u shpreh ai.

Republika e Kosovës deri më tash nuk ka ndonjë ligj që rregullon tregun e kriptovalutave.

Kuvendi është në përgatitje të një projektligji të tillë, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave dixhitale brenda territorit të Kosovës.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të tatimit, ligji synon të krijojë edhe një evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë.

Ju rekomandojmë