Reklama

Qeveria ndanë 5 milion euro per keto kategori te familjeve. Ja kush perfiton

Ministria e Financave sot ka prezantuar masën 1.2 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se fundi i vitit simbolizon një periudhë ku të gjithë shënojnë arritje e reflektojnë mbi sfidat me të cilat janë përballur.

Duke e konsideruar si një shtyllë thelbësore në kuadër të programit qeverisës, Kurti potencoi se për faktin që ishin të rrethuar nga një ambient i vështirë dhe i rëndë, kjo e ka përforcuar edhe më shumë përkushtimin dhe mbështetjen e Qeverisë drejt kujdesit për qytetarët.

Ai tha se pas këtyre gati tre vite, qytetarët e dinë që përballë vështirësive të kohës ata nuk do të jenë asnjëherë vetëm ose të vetmuar, sepse “jemi dhe mbetemi qeveri që udhëheq dhe që mbështet, që prin dhe që nuk lë askënd prapa”.

“E sot jemi bashkë për ta prezantuar edhe një masë e cila në qendër ka grupet e cenueshme të shoqërisë. Ata që kanë më së shumti nevojë për dorën e shtetit. Në mbledhjen e 174-të të Qeverisë ndamë 5 milionë euro. Më këtë shumë, Qeveria do të mundësojë subvencionimin e blerjes së lëndës djegëse për ngrohje për familjet në asistencë sociale, me qëllim tejkalimin sa më të lehtë të dimrit për këto familje. Këtë masë do ta zbatojmë në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, foli rreth mënyrës së subvencionimit të kësaj mase i cili realizohet direkt në llogaritë bankare të familjeve përfituese.

Ai sqaroi edhe mënyrën e përfitimit të kësaj mase. “Si familje përfitimi është 120 euro, që është ekuivalent me 2 metër kub, ndërkaq për çdo anëtar të familjes është 30 euro shtesë, që nënkupton që për një familje katër anëtarëshe do të jetë 120 euro për familjen,  120 euro të tjera, pra nga 30 euro për secilin anëtar, që i bie që një familje katër anëtarëshe në total do t’i pranoj 240 euro si mbështetje në mënyrë që ta tejkaloj sa më lehtë sezonin e dimrit”, tha ai.

Ministri Murati, potencoi se për të përfituar nga kjo masë nuk ka nevojë për aplikim, meqenëse Qendrat për Punë Sociale, tashmë kanë familjet të cilat pranojnë mbështetje sociale.

Ndryshe, kjo masë është e mbështetur nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Pakos Energjetike Emergjente e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë