Pavarësisht se a do t’i aprovojë ZRRE-ja kërkesat për ngritje të reja të çmimeve, apo jo (deri tash të gjitha kërkesat e parashtruara nga shpërndarësi dhe furnizuesi i energjisë elektrike KEDS/KESCO i ka pranuar me lehtësi), kërkesat e fundit për ngritje çmimesh janë jologjike, absurde, të pakuptueshme dhe të parsyeshme qind për qind.
Mehmet GJATA
Kompania turke për furnizim me energji elektrike të konsumit të Kosovës-KESCO, që ka monopol absolut në këtë sektor, si e vetme deri tash që është në shtetin tonë, nuk ndalet së kërkuari çmime të reja të ngritura të rrymës. Vazhdimisht ka kërkuar dhe vazhdon t’i bëjë kërkesa ZRRE-së për çmime të reja të ngritura, jo rrallë edhe edhe me shantazhe prej më të ndryshmeve.
Ende pa u bë 1 vjet nga ngritja e fundit e çmimit të rrymës në Kosovë (prill 2023), KESCO ka ngarendur t’i kërkojë ZRRE-së ngritje të sërishme të tarifave. KESCO i ka kërkuar ZRRE-së t’i aprovojë “të hyra më të larta sesa aktualet, me arsyetimin e rritjes eventuale të kostove, duke e marrë si shkas kërkesën e KEK-ut për rritje të çmimit të furnizimit me shumicë nga 29 euro në 31.5 euro për megavat orë”.
“Pa paragjykuar arsyeshmërinë e ofertës, me aplikimin e çmimeve të propozuar nga KEK – kostot për konsumatorët fundor do të rriten për 6 milionë euro, apo një rritje prej 2% të MAR”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.
Ndërsa, pas shqyrtimit të aplikimeve të pranuara nga KESCO, KEDS dhe KOSTT, ZRRE-ja duhet të përpilojë raportin konsultativ i cili do të qartësojë nëse një kërkesë e tillë do të përfillet. Mirëpo, pavarësisht se a do t’i aprovojë ZRRE-ja kërkesat për ngritje të reja të çmimeve (deri tash të gjitha kërkesat e parashtruara nga shpërndarësi dhe furnizuesi i energjisë elektrike KEDS/KESCO i ka pranuar me lehtësi), kërkesat e fundit për ngritje çmimesh janë jologjike, absurde, të pakuptueshme dhe të parsyeshme qind për qind. Sepse, kërkesa e tanishme e KEDS-KESCO-s është bërë në kohën kur çmimet e energjisë elektrike në tregjet botërore të rrymës janë ulur ndjeshëm, madje edhe nga disa herë krahasuar me çmimet e larta të para dy vjetësh.
Konkretisht, sot në bursën hungareze HUPX, nga importon më së shumti Kosova rrymë, një megavat-orë e ka pasur çmimin mesatar ditor 83,17 euro që është edhe 6-7 herë më i ulët se në kohën e pas pandemisë dhe pas fillimit të luftës ruso-ukrainase, ose të krizës globale energjetike. Pra, sot janë shumëfish më të ulëta çmimet, se sa kur arritën kulmin, në kohën e krizës globale energjetike, kur siç dihet, një megavat-orë ka ndodhur të tregtohet edhe me çmimim 500 e më shumë euro.
Të përkujtojmë se gjatë ditëve më të ngrohta, gjatë tërë vitit 2023, çmimi i rrymës në tregun hungarez ka qenë mesatarisht rreth 60-70 euro megavati, dhe në raste edhe nën 40-50 euro megavati. Po kështu, është fare i paqëndrueshëm edhe shkasi i kërkesës së rritjes së çmimit nga KEK-u për rritje të çmimit të furnizimit me shumicë nga 29 euro në 31.5 euro për megavat orë. Ky arsyetim është edhe qesharak, edhe cinik e tallje e tejdukshsme me konsumatorët kosovarë. Sepse, siç i kanë deklaruar Buletinit Ekonomik inxhinierë të shumtë me përvojë të gjatë të KEK-ut, një fakt shumë i rëndësishëm po harrohet vazhdimisht kur bëhet fjalë për çmimet stratosferike të rrymës te ne. Është fjala për shitblerjen e energjisë KEK-KEDS/KESCO, respektivisht për marrëveshjen me të cilëm KEK-u obligohet t’ia shesë KESCO-s energjinë elektrike të prodhuar nga termocentralet dhe thëngjilli i vendit me 29 euro megavat-orën, të cilën pastaj KESCO ua faturon konsumatorëve kosovarë për shumë herë më shtrenjtë.
Ky çmim i tregtimit të rrymës KEK-KESCO – është nënçmues dhe përbuzës për të gjithë punonjësit e sistemit elektrooenergjetik të Kosovës dhe vë në vështirësi të mëdha KEK-un për shkak të tregtimit me çmim kaq të ulët, duke ia bërë të pamundshme KEK-ut investimet e synuara kapitale dhe të mirëmbajtjes më efektive të stabilimenteve prodhuese.
Në anën tjetër, e favorizon, sipas inxhinierëve, pafundësisht tregtarin turk të rrymës, i cili për shumëfish ua shet këtë rrymë kosovarëve, të cilën e blenë me çmim qesharak të ulët po nga kosovarët. Prandaj, kërkesa e KEK- ut për rritje të çmimit të furnizimit me shumicë nga 29 euro në 31.5 euro për megavat orë, që e apostrofon si shkas KESCO, është tejdukshëm e paqëndrueshme, është qesharake, dhe si e tillë nuk ia vlenë më shumë të merremi me të.
Nuk ka arsyeshmëri për ngritje të re të çmimi edhe për shkakun e qenësishëm se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, madje shumë i lartë dhe për shumë qytetarë tashmë është bërë vështirë i përballueshëm, por edhe i papërballueshëm fare. Dhe, faturat e ‘fryra” të dhjetorit 2023 dhe të janarit 2024 janë rrjedhojë e shpenzimit të rrymës në ditët e ftohta në këta dy muaj, por edhe më shumë janë pasojë e çmimit enorm të rrymës te ne, pavarësisht zërave që vijnë nga zyrtarët e ZRRE-së dhe nga distributori dhe furnizuesi turk të konsumit të vendit me rrymë KEDS/KESCO se “në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është ndër më të ulëti në rajon”.
Ndërkohë, edhe analizat jo të pakta të ekspertëve, por edhe të vrojtuesve të shquar për shqyrtime detajiste si dhe sipas vlerësimeve të njohësve të zhvillimeve energjetike, në Kosovë, pas ngritjes enorme tre herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej 1,5 vjetësh, (së pari më 2021 shumë mbi 100 për qind dhe 1 herë më 2022-në shkurt rreth 30 për qind dhe në prill të 2023-shi diku te 15 përqindëshi), nuk ka asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore, por as logjikë ekonomike që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne.
Duhet thënë edhe këtë fakt: Te ne, megjithë zhvillimet në tregjet botërore të energjetikës (edhe ulja e madhe e çmimeve të energjisë elektrike) nuk ka pasur ulje çmimesh në asnjë rast. Po e ripërsërisim edhe faktin e pashmangshëm (pse Kosova nuk ka arsye të ngritë çmimin e rrymës) e që është rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e çmimit e fshehtë, e padeklaruar dhe perfide nga ana e ZRRE-së.
Me bllok tarfifa u goditën direkt numri dërrmues i konsumatorëve kosovarë, për shkakun se shumica e tyre janë harxhues të mbi 800 kilovat-orë, dhe për të cilët konsumatorë, siç dihet, një kilovat-orë vazhdon ta ketë çmimin rreth 15 centë. Dhe ky çmim është enorm i lartë dhe thuaja në statosferë, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të varfëra kosovare dhe në mirëqenien e tyre.
Dhe së fundi po e ripërsërisim arsyen shumë qenësore, të cilën fare nuk e përfillin as ZRRE-ja dhe as KESCO, se Kosova sot e kësaj dite e paguan çmimin e energjisë elektrike me koston shumë të lartë, si pasojë e rrezikimit të shëndetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh, të sëmurë, të paftësuar përjetësisht, por edhe viktima të shumta të ndotjes së madhe të ambientit nga gazrat dhe hiri që lënë pas termocentralet e “mplakura” të Kosovës.
Pasojat shëndetësore i vuajnë sidomos banorët që jetojnë rreth e përqark ambienteve të prodhimit të rrymës dhe minierave sipërfaqësore të qymyrit. Të gjitha studimet e bëra deri më tash kanë dëshmuar se vdekjet numerikisht të shumta në fshatrat përrreth kompleksit energjetik të KEK-ut dhe sëmundjet e shumta kronike ndër këta banorë, janë kryekëput pasojë e ndotjes enorme të ajrit, ujit dhe tokës në këtë rajon. Ajri në Prishtinë edhe gjatë tërë ditëve të janarit, sikundër ditë me radhë gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, por edhe të shumë viteve të tjera, rezulton të jetë tepër i rëndë dhe i rrezikshëm për shëndetin e qindra-mijëra kosovarëve.
Ndërkohë, lidhur me çmimet për energjinë elektrike, edhe Kuvendi i Kosovës sesionin pranveror e ka nisur me seancë të jashtëzakonshme, me ç’rast Grupi Parlamentar i PDK-së ka propozuar një rezolutë për uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave. Pavarësisht se nuk është miratuar kjo rezolutë, asnjë deputet i vetëm as nga pozita, as nga opozita, nuk kanë qenë në gjenje ta kundërshtojnë arsyshëm dhe me fakte domosdonë e uljes së çmimit të energjisë elektrike. Këto janë faktet. Fakt është edhe paqëndrueshmëria totale e shkaqeve dhe shkaseve të KEDS-KESCO-së për ngritje të re çmimi. Ndoshta, kësaj radhe, ZRRE-ja do të reflektojë rreth këtyre fakteve. /Buletini Ekonomik/