Instituti për Politika Zhvillimore ka propozuar strukturë prej tri bllok-tarifash për çmimin e energjisë elektrike. Analiza do të dërgohet si pjesë e komenteve në diskutimin publik të organizuar nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji. Ajo është e ndarë në tre pjesë kryesore.
Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka propozuar strukturë prej tri bllok-tarifash për çmimin e energjisë elektrike. Ky institut ka propozuar ndarjen e tarifave për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë në muaj, ata nga 600 deri në 1200 kilovatë në muaj dhe ata të fundit me mbi 1200 kilovatë në muaj.
Sipas propozimit, për konsumatorët që do të shpenzonin deri 600 kilovatë në muaj, rritja e çmimit do të ishte 5.5 për qind, për ata nga 600-1200kW për 70 për qind e ata mbi 1200kW rritje prej 80 për qind të çmimit. Sipas INDEP-it, ky propozim është më i ulët sesa ajo që ka prezantuar ZRRE-ja. Sipas këtij instituti, raporti i ZRRE-së çon rritjen e çmimit për ata që shpenzojnë mbi 600KW mbi 200 për qind.
INDEP-i ka thënë se do t’i dërgojë propozimet si komente me shkrim edhe në ZRRE.
Në arsyetim të këtij propozimi, Liron Gjocaj, hulumtues në INDEP, ka thënë se me propozimin që ata konsumojnë deri 600KW në muaj të mos kenë shtrenjtim të çmimit të rrymës, do të bënte që të ketë ulje të interesit për masat e efiçiencës.
Gjocaj ka arsyetuar propozimin për ngritje prej rreth 70 për qind të çmimit për kategorinë e dytë (600-1200KW) do të bënte që qytetarët të ishin më të barabartë në shpenzime sikur ata që ngrohen me ngrohje qendrore, sikur ata që shfrytëzojnë energjinë për ngrohje.
Për shpenzuesit e mbi 1200KW, INDEP-i ka thënë se kjo është kategori e njerëzve që kanë të hyra më të mëdha dhe se është e rëndësishme që të bëhet ndarja mes sasisë esenciale për shpenzim dhe asaj mbi mesatare.
Dardan Abazi, udhëheqës i hulumtimeve në INDEP, ka thënë se propozimi aktual i ZRRE-së është i papranueshëm. Ky institut ka thënë se e përkrah rritjen e çmimit të tarifave të energjisë, por s’pajtohet me përqindjen e propozuar nga ZRRE-ja.
“Nuk mund të flitet se a mund të shtrenjtohet ose duhet shtrenjtohet për një pjesë të Kosovës e cila nuk paguan energji elektrike. Është diskutim qesharak, që të themi se a është rritur për dikë që nuk paguan, normal që nuk ka rritje fare të çmimit, konsiderojmë që është vërtetë shqetësuese që në një treg të rregulluar një pjesë e paguan një pjesë tjetër nuk paguajnë, E shkel edhe parimin kushtetues të barazisë para ligjit i cili është parim themeltar i Kushtetutës sonë por që shpresojmë që me shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës do të zgjidhet edhe kjo çështje. Edhe premtimet si të tilla nuk do ta paguajnë këtë pjesë gjithashtu edhe më realitetin e tanishëm kanë tingëlluar si jo reale në zgjidhje. Konsideroj se me shtrirjen e institucioneve të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit duhet që sa më parë të sigurohet që të paguajnë barabartë të gjithë për energjinë që e shpenzohen”.
Çfarë përmban propozimi i INDEP-it
Tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 5.5% për të gjithë konsumatorët, përfshirë konsumatorët komercial.
Të rikthehet struktura tarifore me blloqe për konsumatorët e amvisërisë, ku ndarja do të bëhet në tre nivele të konsumit të energjisë elektrike, deri në 600 kWh në muaj, nga 600 deri në 1,200 kWh në muaj dhe mbi 1,200 kWh në muaj.
Për nivelin e konsumit deri në 600 kWh në muaj energji elektrike, të aplikohen tarifat prej 0.0712 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.0304 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 5.5% më të larta se tarifat aktuale.
Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 600 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.121 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.051 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 70% më të larta se tarifat e bllokut të parë.
Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 1,200 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.217 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.091 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 80% më të larta se tarifat e bllokut të dytë.
Në Kosovë është shkaktuar debat i gjerë pas raportit të ZRRE-së për ngritjen e çmimit.
Kjo zyrë ka publikuar raportin me ngritjen e çmimit, ndërsa Qeveria është zotuar për ndarjen e 75 milionë eurove për subvencionim të pagesave për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë, dhe në përqindje të caktuar edhe për ata që shpenzojnë më shumë.
Propozimi për ngritje të çmimit ka çuar edhe në seancë parlamentare nga partitë opozitare, por që një rezolutë kundër ngritjes së çmimit nuk u votua. Edhe qytetarët kanë protestuar të mërkurën kundër ngritjes së çmimit.
KMDLNJ: Pse duhet t’u paguhet rryma katër komunave të veriut të Kosovës?
Kurse, Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas paralajmërimit të Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), se në katër komunat veriore nuk do të ketë ngritje të çmimit të tarifave të energjisë elektrike.
Përmes reagimit të KMDLNj-së, thuhet se kjo rritje e çmimit të rrymës është e papërballueshme, diskriminuese duke ndarë konsumatorët në grupe përfituese dhe ato që do të “ndëshkohen sikur që liron nga çdo pagesë 4 komunat e Veriut të Kosovës, ekskluzivisht sipas parimit etnik’”.
Tutje thuhet se KMDLNj ka paralajmëruar se këto zhvillime do të shkaktojnë pakënaqësi sociale që do të nxisin protesta kundërshtuese , do të ndikojnë në uljen e investimeve shkaku i pasigurisë ekonomike dhe politike, si efekte zinxhirore të këtyre diskriminimeve.
“Po bëhet një luftë puro politike midis pozitës dhe opozitës në mungesë të vullnetit për të bërë zgjidhje në interes të qytetarit. Pozita me këmbëngulësi po e mbronë ZRRE dhe kërkesën për rritje të çmimit të rrymës kurse opozita po e sulmon Qeverinë e Kosovës pse po ua paguan rrymën 4 komunave të Veriut ndonëse të gjitha qeveritë paraprake e kanë bërë të njëjtin veprim. Kryetari i Bordit të ZRRE, para Komisionit parlamentar deklaroi se 4 komuna të Veriut nuk janë përfshirë fare në propozimin për rritje të çmimit të rrymës dhe se kur kanë dashur të ndërpresin rrymën për 4 komuna të Veriut, shumë vite më parë , nga KFOR kanë marrë një letër se nuk mund ta bëjnë këtë prandaj janë detyruar ta vazhdojnë furnizimin për këto komuna. Opinioni kosovar nuk ka qenë i informuar për këtë më parë. Meqë është krijuar një situatë e tensionuar dhe një paqartësi për qytetarët e që po manipulohet nga opozita dhe pozita dhe për të sqaruar çështjen që do të ndikonte në shtensionimin e gjendjes , KMDLNj kërkon nga qeveritë e mëparshme një sqarim nëse ka pasur bazë ligjore, Marrëveshje detyruese të nënshkruar e për të cilën publiku nuk ishte informuar , apo zotim para ndërkombëtarëve ose ndonjë shantazhim që e arsyeton këtë pagesë të rrymës për 4 komunat e Veriut ?!’.
“Po kjo pyetje vlen edhe për Qeverinë aktuale që po vazhdon të paguajë rrymën për serbët e Veriut të Kosovës sepse , nëse nuk ka një arsye tepër bindëse, me këtë vazhdim të pagesës po e përligj diskriminimin në baza etnike dhe korrupsionin institucional. Edhe qeveritë paraprake si dhe qeveria aktuale e kanë detyrim të sqarohen para qytetarëve të Kosovës , ndryshe do të jenë përgjegjës për plaçkitje të qytetarëve të Kosovës përmes faturimit të fryrë dhe ndarjes së mjeteve për rrymë dhe shërbime të tjera për 4 komunat në Veri të Kosovës përgjatë 20 vjetëve të fundit. KMDLN kërkon përgjigje se kur do të kompensohen qytetarët e Kosovës që janë plaçkitur në periudhën 15 vjeçare përmes fryrjes së faturave dhe se a është marrë në përgjegjësi dikush që e ka planifikuar, nuk e ka penguar dhe e ka zbatuar këtë plaçkitje. KMDLNj e përkrahë çdo protestë paqësore që ka për qëllim mbrojtjen e interesit të qytetarit të Kosovës , pa bërë asnjë dallim në asnjë bazë dhe kundërshton çdo protestë që ka qëllime politike duke keqpërdorur dhe manipuluar gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve të Kosovës”./Monitor/