Reklama

Prishtinë, dënohet me 18 mijë euro gjobë një e akuzuar për shpëlarje të parave

Gjykata e Prishtinës ka dënuar me 18 mijë euro gjobë një të akuzuar për shpëlarje të parave.

Gjykata ka kërkuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, që të akuzuarës P.K, t’ia konfiskojë edhe shumën prej 91 mijë funteve britanike, pasi që sipas Gjykatës, janë përfituar nga vepra penale.

Fillimisht, e akuzuara P.K., është shpallur fajtore për veprën e lartëcekur dhe është gjobitur me 10 mijë euro dhe 6 muaj burgim.

Por, me kërkesën dhe pëlqimin e të akuzuarës, dënimi me burgim prej 6 muajve, i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 8 mijë eurove, kështu duke arritur shuma totale e gjobës në 18 mijë euro.

“Andaj, gjykata komfor KPRK-së, për dënimin me gjobë dhe dënimin e zëvendësuar me gjobë të akuzuarës ia shqipton dënimin unik me gjobë në shumë prej 18 mijë euro, të cilin dënim e akuzuara P.K duhet ta paguajë në afat prej 2 muajve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Sipas Gjykatës, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar do të bëjë konfiskimin e parave të fituara përmes verpës penale, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /kallxo.com/

Ju rekomandojmë