Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndajë një milion euro si ndihmë për popullin e Ukrainës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Memli Krasniqi, ka thënë se në situatën aktuale Kosova duhet të rrisë angazhimin për t’u afruar me vlerat dhe me institucionet e organizatat perëndimore.
“Partia Demokratike e Kosovës e sheh emergjente nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si një hap kapital drejt integrimit të mëtejmë në kuadër të këtyre vlerave. I bëjmë thirrje qeverisë që të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të përshpejtuar këtë proces, aq më tepër kur uniteti i demokracive perëndimore dhe evropiane është në shkallën më të lartë ndonjëherë, duke sjellë një moment që nuk mund të kalojë pa u shfrytëzuar për të përmbushur aspiratat tona integruese”, thuhet në shkrimin e Krasniqit.
Ndihmën prej së paku një milion eurosh, Krasniqi e ka parë si ndihmë solide në kohë të rëndë për ukrainasit. Ai ka thënë se po që se ka nevojë, Kosova duhet të jetë e gatshme për strehim të refugjatëve.
“Republika e Kosovës është produkt i forcave qytetare liridashëse që e kupton shumë mirë domethënien e një agresioni të tillë ndaj lirisë dhe demokracisë. Prandaj, ky moment duhet të shërbejë për të avancuar vlerat tona të përbashkëta dhe konsolidimin tonë të mëtejmë në kuadër të strukturave demokratike evropiane dhe perëndimore”, ka shkruar ai më tej.
Postimi i plotë i Krasniqit:
/Gazeta Sinjali/