Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbrojtur përpjekjet ndërkombëtare dhe të brendshme të administratës së tij për të frenuar inflacionin dhe çmimin e lartë të karburantit, duke i premtuar amerikanëve një rënie në çmime tek stacionet. Presidenti demokrat njoftoi nxjerrjen më të madhe ndonjëherë të naftës nga Rezervat Startegjike të SHBA, në koordinim me vende të tjera mëdha.
Shtëpia e Bardhë po heton gjithashtu për sjellje të jashtëligjshme nga kompanitë e naftës dhe benzinës, që dyshohet se po mbajnë çmimet e karburantit në rritje artificiale. Administrata e Biden së bashku me Rezervën Federale e kishin përshkruar rritjen e çmimeve si tranzitore në herët gjatë vitit, por presioni për të vepruar është rritur, pasi inflacioni i lartë nuk është tërhequr.
Departamenti i Statistikave raportoi më herët gjatë muajit se çmimet e konsumit në SHBA gjatë Tetorit u rritën me normën më të madhe vjetore në 31 vite, nxitur nga kostot e mëdha të karburantit dhe mallra të tjera.
Plani për të nxjerrë miliona fuçi nafte nga rezrevat strategjike në koordinim me Kinën, Indinë, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Britaninë, vjen pasi prodhuesit e OPEC kanë injoruar vazhdimisht thirrjet për të rritur prodhimin. Biden sulmoi gjithashtu kompanitë që sipas tij po bëjnë fitime rekord dhe nuk po kalojnë kursimet për të ndihmuar konsumatorët.
SCAN