OAK njofton:
Përshëndetje të nderuar/a anëtar/e,
Oda e Afarizmit të Kosovës ka pranuar ankesa të shumta nga disa prej juve, duke shprehur shqetësimet e juaja lidhur me gjobat që janë shqiptuar nga inspektorët në pikat doganore, për kompanitë transportuese nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnjë & Hercegovina.
Ju njoftojmë se pas pranimit të ankesave, OAK ka reaguar duke kërkuar sqarime shtesë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Si rrjedhojë, sot gjatë ditës, jemi pritur në takim nga zv.Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Hysen Durmishi, me qëllim të shprehjes së shqetësimeve tona lidhur me shqiptimin e këtyre gjobave për kompanitë transportuese, duke kërkuar sqarime shtesë rreth tyre.
Zv.Ministri Durmishi në këtë takim na ka njoftuar se nga sot Ministria ka marrë vendim dhe ka kërkuar nga inspektorët pezullimin e përkohshëm të shqiptimit të gjobave deri në veprimet e radhës.
Ndërsa që, sipas kërkesës për sqarime rreth këtyre gjobave, i njëjti theksoi se me çdo shtet, përfshirë edhe Shqipërinë, Kosova ka marrëveshje bilaterale për kuotat e transportit.
Këtë marrëveshje Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta ketë me Qeveritë e këtyre shteteve: Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Andaj, në zbatim të Ligjit për Transportin Rrugor, përkatësisht nenin 44, par. 1,2 dhe 3 të këtij ligji janë shqiptuar këto gjoba. Ashtu që, sipas këtij neni të këtij ligji, kompanive transportuese jo rezidente ju ndalohet komplet hyrja në territorin e RKS, mirëpo me qëllim që të mos dëmtohen bizneset janë lejuar të hynë në Kosovë, pas pagesës së gjobës.
Ndërsa që, sipas zv.Ministrit veprimi i radhës të cilin do ta ndërmarrin deri në arritjen e marrëveshjeve bilaterale me këto shtete është autorizimi i pikave doganore për dhënie të lejeve të posaçme për transport ndërkombëtar për operatorët jo rezident në Republikën e Kosovës.
OAK është duke lobuar në vazhdimësi për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat po ballafaqoheni, andaj ndjehuni të lirë të na shkruani për çdo shqetësim ose të delegoni çdo ankesë e cila është duke e penguar punën tuaj.
Ju faleminderit për bashkëpunimin e vazhdueshëm! OAK