Fiskalizimi ka ndikuar në rritje e të ardhurave tatimore. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, gjatë një konference për shtyp ka vlerësuar zhvillimet kryesore të ekonomisë.
Sipas Ibrahimajt, falë reformave dhe fiskalizimit, të ardhurat nga Tatimit mbi Vlerën e Shtuar u rritën 24% në krahasim me 2020 dhe 22% ndaj 2019.
Krahas të ardhurave, edhe shpenzimet janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar.
Sipas saj, “Respektivisht të ardhurat në vitin 2021 janë rritur me 20% në raport me vitin 2020 dhe 11% në raport me 2019. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i ecurisë së mirë ekonomike, por edhe si rezultat i miradministrimit fiskal. Shpenzimet u rritën 21% në 2021 ndaj 2020 dhe 11.2% ndaj 2019”.
Mes të ardhurave, përformancë me të mirë e kanë pasur të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e shtuar, (+24%) ndaj 2020 dhe (+22%) ndaj 2019. Kjo nënkupton se se konsumi është duke u rritur dukshëm me nivelet e para krizës.
Të ardhurat nga fondet speciale në 2021, janë rritur gati 14% ndaj 2020 dhe gati 13% në krahasim me 2019. Kjo nënkupton rritjen e vazhdueshme të punësimit.
Rrija e vjetore e shpenzimeve kapitale ishte mbi 31% në 2021 dhe gati 16% ndaj dy viteve më parë.
Sipas minstres Ibrahimaj, fiskalizimi ka dhënë efektin kryesor në janar, kur të ardhurat u rritën gati 39%, falë fiskalizimit. “Arsyet e rritjes janë të shumta, por unë dua të theksojë reformat e qeverisë, dhe dua të ndalem në reformën e fiskalizimit, sipas të dhënave më të fundit 89.4% e biznesit të madh ka filluar procesin e fiskalizimit, po ashtu edhe 87% e biznesit të vogël. Bizneset që kanë përfunduar procesin e fiskalizimit dhe janë të afta të lëshojnë faturë janë 72 mijë e 309. Gjatë këtij viti janë lëshuar gjithsej 198 milionë fatura”.
Gjatë kësaj dalje publike, ministrja ritheksoi planin e kontrolleve në kompani lidhur me deklarimin e pagave. “Në fund të këtij muaji nisin kontrollet në terren në lidhje me informalitetin e pagave. Kontrollet do të realizohen nga inspektorati i punës për të evidentuar shkeljet e mundshme. Synimi ynë nuk është penalizmi i bizneseve, por sensibilizimi për të bërë vetë deklarimet. Instancat shtetërore do të kryejnë detyrën dhe në rastin kur nuk do të ketë vetë deklarime do të merren masat”.(Business Magazine Albania)