Reklama

Lufta në Ukrainë, Konifndustria kërkon ndryshime në politikat fiskale

Konfindustria, duke vlerësuar zhvillimet gjeostrategjike në Ukrainë, me ndikim afatgjatë në ekonominë botërore, kërkon nga ekzekutivi ndëmarrjen e ndryshimeve rrënjësore të politikave fiskale dhe institucionale në fushat kryesore të ekonomisë kombëtare, duke filluar nga sektori i karburanteve.

Si masë e parë, Konfindustria kërkon nga ekzekutivi të ulë barrën fiskale tepër të lartë të sotme në tregtimin e karburanteve dhe krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve për ta përcjellë uljen e çmimit te biznesi dhe qytetarët. Pagesat fiskale sot zënë më shumë se 55-60% të çmimit përfundimtar të shitjes. Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve në rajon me një mesatare, që shkon deri në mbi 30% më shtrenjtë nga vendet e tjera.

Pasojat e çmimeve të larta të karburanteve, që rrezikojnë të rriten më tej nga kriza e fundit Rusi-Ukrahinë si dhe cilësia jashtë standardeve, janë dramatike për qytetarët, shkatërrimin e prodhimit vendor, industrive, buxhetit të shtetit, mjedisit, shëndetësisë, etj. Barra tepër e lartë fiskale e karburanteve favorizon kartelet në treg dhe kontrabandën në nivele me dhjetëra milionë dollarë në vit evazion fiskal.

Në këtë kuptim, Konfindustria i kërkon ekzekutivit, që të ndërpresë menjëherë nismën e rritjes së fshehtë të tarifave me 70 milionë euro shtesë të koncesionit të metrologjisë së karburanteve. Përpjekjet për dyfishim tarifash në përfitim të koncesionarit privat bëhen edhe më absurde në kushtet e sotme.

Konfindustria vlerëson, se është e domosdoshme dhe me rëndësi strategjike të kërkohet nga kompanitë plotësimi i kushtit ligjor për 3 muaj rezerva te karburanteve dhe të bashkëpunohet për shtimin e mëtejshëm të tyre./Business Magazine Albania/

Ju rekomandojmë