Lira turke ka rënë përsëri pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan mbrojti Bankën Qendrore, e cila uli ndjeshëm normën referencë të interesit javën e kaluar.
Erdogan tha se do të fitonte “luftën për pavarësi ekonomike” pavarësisht kritikave dhe lutjeve të shumta për të ndryshuar kursin.
Monedha turke ka rënë në 13 lira kundrejt dollarit [14.70 kundrejt euros], në një nivel të ri të ulët pas rrëshqitjes në 11 sesionet e fundit radhazi. Ajo ka humbur deri në 40 për qind të vlerës së saj këtë vit, duke përfshirë një rënie prej gati 20 për qind që nga fillimi i javës së kaluar.
Erdogan ushtroi presion mbi Bankën Qendrore të Turqisë për t’u kthyer në një cikël agresiv të lehtësimit monetar me qëllim, siç thotë ai, të stimulojë eksportet, investimet dhe krijimin e vendeve të punës, pavarësisht rritjes së inflacionit në afër 20 për qind dhe përshpejtimit të zhvlerësimit të monedhën kombëtare e cila po gërryen pagat e qytetarëve.
Lira po shënon rezultatin më të keq midis monedhave të tregjeve në zhvillim këtë vit, kryesisht për shkak të, siç thonë analistët, “lehtësimit të pamatur dhe të parakohshëm monetar”. /Telegrafi/