Kohëve të fundit, në kuadër të publikimeve të lajmeve dhe përmbajtjeve të tjera në internet, është rritur shpërndarja e linqeve (vegzave), që përmes titujve ftohen qytetarët që të aplikojnë për tërheqjen e mjeteve të caktuara financiare.
Tekstet e publikuara në ueb faqe të dyshimta, po i referohen rrejshëm vendimeve të institucioneve të vendit dhe po shpërndajnë lajme të rrejshme.
Në të shumtën e rasteve lajmet thirren në vendime të paqena të Qeverisë së Kosovës dhe Fondit të Kursimeve Pensionale (Trust), por edhe institucioneve të tjera.
Disa prej linqeve kanë këta tituj: “Apliko tani: 250 euro për secilin qytetarë në Kosovë”, “E fundit: Propozohet qe nga trusti te tërhiqen perseri 20%-30% te kursimeve!A PAJTOHENI?”, “Qeveria e Kosovës ndan nga 300€ për personat qe kan pas Covidin aplikoni këtu me letërnjoftim”, “LAJMI I FUNDIT : Ndahen nga 300€ për pandemi aplikoni këtu”, E fundit: Propozohet që nga trusti të tërhiqen përsëri 20-30% të kursimeve. A pajtoheni?”, e të tjera.
KRYPOMETRI ka raportuar në vazhdimësi për këtë lloj të rrenave.
Qeveria e Kosovës kishte demantuar raportimet se do të ndaheshin mjete financiare për qytetarët, ashtu si edhe për persona të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19.
Në anën tjetër, as nga Fondi i Kursimeve Pensionale nuk ka pasur vendim së fundi se do të mund të bëhet tërheqje e kursimeve të qytetarëve që kanë llogari dhe paguajnë Trust-in.
Për shkak të rritjes së çmimit të rrymës dhe shtrenjtimit të të tjera produkteve në Kosovë, nga opozita kanë propozuar që të rimundësohet sërish tërheqja e mjeteve nga Trusti.
Një kërkesë të tillë e ka bërë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.
“Me kërkesë të shumë qytetarëve ri-propozoj: tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30 për qind. Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është më se e nevojshme që Qeveria ta sjell në votim propozimin tim për tërheqjen e Trustit Pensional deri në 30 për qind”, kishte kërkuar Haxhiu.
Në anën tjetër nga Trusti kanë deklaruar se zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe se respektojnë mandatin e tyre t’i administrojnë dhe menaxhojë kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës.
Me dekretimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, tërheqja e kursimeve prej 10 për qind nga Trust-i, ishte mundësuar vetëm një herë pasi ligji u miratua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2020.
Pikëpamja sociale
Profesori në degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli ka thënë për KALLXO.com dezinformatat e tilla dhe të ngjashme kanë për synim rritjen e përfitimeve financiare për personat që i shpërndajnë dhe i zotërojnë faqet në ueb e rrjetet sociale.
“Përfitimet e personave që shpërndajnë dezinformata lidhen me reklamimin automatic përmes platformave të ndryshme si Google dhe të ngjashme që ofrojnë disa cent për shfaqjen e një reklame në ueb. Por, kur një përmbajte e tillë, pra një dezinformatë klikohet me mijëra herë, ata pak cent që japin platformat e shpërndarjes së reklamave në ueb bëhen shumë para për keqpërdoruesit të cilët nuk kanë gati asnjë shpenzim nga shpërndarja e këtyre përmbajtjeve”, bën të ditur ai.
Zeneli ka thënë se shkalla e varfërisë në Kosovë bën që ky lajm të klikohet edhe më shumë pasi shumë qytetarë kanë vështirësi t’i mbulojnë shpenzimet e tyre mujore.
Ndërkaq, sociologu Genc Xërxa, vlerëson se një pjesë e mediave kanë humbur etikën dhe moralin si mision në informimin e drejtë karshi opinionit.
“Mediumet elektronike tani kanë bërë, jo të gjitha të kuptohemi, por një pjesë e tyre fabrikimin e lajmeve me qëllim të klikimeve dhe përfitimeve të ndryshme në dëm të opinionit të gjerë. Pra informimin e drejtë sot disa mediume si rezultat i komercializmit dhe ekskluzivitetit të fabrikuar e kane tejkomercializuar duke u shmang detyrimit thelbësor se për çfarë është krijuar dhe në shërbim të çkaje!”, ka thënë ai për KALLXO.com.
Xërxa ks shtuar se pajtohet që duke pasur parasysh aspektin social dhe situatën ekonomike të shoqërisë kosovare, kjo ka ndikuar që të rritet përmbajtja e këtyre lajmeve të rreme.
“Duke ditur ‘grepin’ që opinioni shumë lehtë kapet nga ekskluziviteti dhe gjërat që janë tërheqëse për publikun, mediumet po dinë si ta fusin në grep lexuesin duke i servuar tituj bombastik në shërbim të klikimit dhe përfitimit komercial”, thotë ai.
Sociologu shprehet se “vë në theks edhe ngritjen apo emancipimin e shoqërisë dhe nivelin e edukimit në masë të gjerë, shumë lehtë opinioni bëhet pre e këtyre grepave të ndryshëm të pa verifikuar të lajmeve të servuara në emër të ‘ekskluzives dhe titujve bombastik’.
Kësisoj, siç shprehet ai, keqinformimet apo krijohen tituj të nxjerrë nga konteksti i ndonjë debati “duke krijuar përshtypje apo përcepcion të gabuar apo të imponuar në opinion, lajme tendencioze të fabrikuara të gjitha, ose me qëllim të përfitimit material apo krijimin e opinionit sipas dëshirës së vet mediumit nga keqinformimi i servuar për të arritur një qëllim të caktuar në publik, qoftë politik, ekonomik, social, kulturor apo të ndonjë natyre tjetër”.
/Kallxo.com/