Reklama

Kur pritet faturimi për shpenzimin e energjisë elektrike në komunat në veri? Flet kryetari i Bordit të ZRRE-së

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Komerciale në mes të Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve të distribuimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe tashmë ka filluar leximi i njehsorëve në këto komuna dhe pritet që së shpejti të fillojë dërgimi i faturave për secilin konsumator.

Kështu tha në një intervistë për Telegrafin kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

Ai tha se një numër i madh i konsumatorëve tanimë kanë njehsorët për matjen e energjisë së konsumuar, ndërsa një pjesë ende mund të përballen me probleme.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu /Foto: Ridvan Slivova

“Prej 1 janarit të vitit 2024 Elektroseveri ka fillu me ble energjinë elektrike për konsumatorët e veriut. Sipas informatave që i kemi deri më tani leximi i njehsorëve ka filluar dhe shpresojmë që shumë shpejt do të dërgohen edhe faturat e secilit konsumatorë në këto katër komuna në veri të Kosovës”, ka thënë Fejzullahu.

Ndërsa, sa i përket pajisjeve me njehsorë të qytetarëve të veriut të Kosovës, ai tha: “Sipas të dhënave që i kemi deri tani, rreth 20 mijë konsumatorë kanë njehsorë, tash gjendja e tyre tek një pjesë e madhe është shumë e mirë, është e qëndrueshme, e një pjesë e tyre ende mund të ketë probleme, por konsiderojmë që rreth 20 mijë janë me njehsorë”./Telegrafi

Ju rekomandojmë