Një pajisje elektronike e cila kushton jo më shumë se 7 mijë euro është dëshmuar të jetë zgjidhje për shumë radhë të gjata të qytetarëve.
E-kiosqet e vendosura në komunat e Kosovës kanë treguar sukses pasi paraqesin zgjidhje për radhët e gjata të pritjeve për certifikatat e lindjes dhe certifikatat e gjendjes civile.
Një analizë e Institutit GAP tregon se deri në fund të vitit 2019 vetëm 20 komuna kishin instaluar pajisjet ndërsa gjendja nuk është përmirësuar edhe në vitet pasuese.
Raporti i performancë së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal tregon se më pak se 10 komuna arrijnë të ofrojnë shërbime online për qytetarët ndërsa të tjerat janë në pritje të zhvillimit të platformave dhe investimeve në infrastrukturë.
“Për marrjen online të shërbimeve kemi ngecur pak por megjithatë mbetet detyrim në të ardhmen t’i funksionalizojmë këto shërbime”, thotë kryetari i Dragashit, Shaban Shabani. Dragashi është në mesin e komunave ku shërbimet online nuk ofrohen për qytetarët.
Marrja e shërbimeve online është problematike edhe në komuna të tjera ndërsa në buxhetin për vitin e ardhshëm është paraparë që vetëm në Hanin e Elezit të investohen para për të ofruar shërbimin e E-kioskut.
Sipas projeksionit të buxhetit në këtë komunë, janë paraparë të shpenzohen rreth 10 mijë euro për të ofruar shërbime digjitale të E-kioskut ndërsa në komunat e tjera nuk janë paraparë investime në këtë fushë.
Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, premtoi investime në teknologji në kryeqytet për digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore.
Të dhënat nga projektligji i buxhetit për vitin 2022, tregojnë që vetëm në komunën e Hanit të Elezit janë paraparë investime në E-kioske.
10 mijë euro pritet të shpenzohen gjatë këtji viti për të blerë paisjet të cilat pritet të instalohen në këtë komunë.
Analiza e projektligjit të buxhetit tregon që janë paraparë shumë pak investime në digjitalizim.
Regjistri shëndetësor është njëra nga ngecjet kryesore të apostrofuara për një kohë të gjatë si mangësi në vend. Mjekët nuk arrijnë t’i regjistrojnë pacientët në një databazë dhe në mungesë të kësaj nuk arrijnë të shohin të dhënat për mjekët.
Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka një plan të qartë se si do të realizohet digjitalizimi i tërësishëm i sistemit shëndetësor. Të dhënat tregojnë që edhe në buxhet nuk janë paraparë fonde për të përkrahur këtë proces.
Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve thotë se mungesa e këtij sistemi ka krijuar probleme sistematike në sistemin shëndetësor të vendit.
“Mjekët nuk arrijnë të përcjellin në asnjë moment se cila është diagnoza dhe problemet e pacientëve”, thotë Kodra.
Të dhëna të tjera tregojnë që në Kosovë dhjetëra shërbime të tjera kanë nevojë të digjitalizohen.
Procesi i marrjes së dokumenteve në Agjencinë e Regjistrimit Civil vazhdon të mbetet ende në aplikacione fizike.
Nxjerrja e letërnjoftimeve, pasaportave e po ashtu edhe regjistrimi i automjeteve është proces i cili kryhet në formën e aplikimit fizik.
Në MPB thonë se ky proces nuk mund të digjitalizohet edhe më tutje për shkak të nevojës që qytetarët të fotografohen.
Procesi i punës që realizohet aktualisht është mjaft i digjitalizuar dhe efektiv. Ky proces nuk mund të digjitalizohet më shumë për momentin pasi që me rastin e aplikimit qytetari duhet të fotografohet, si dhe duhet të nënshkruajë personalisht me rastin e pranimit të dokumentit. Njoftimi i qytetarit që dokumenti është i gatshëm bëhet përmes dërgimit të SMS-it apo emailit, duke e njoftuar që dokumenti është i gatshëm dhe se gjendet në qendrën përkatëse për t’u tërhequr”, thuhet në përgjigjen nga MPB-së.
Një proces tjetër që pret digjitalizimin është regjistrimi i automjeteve dhe procedurat që shoqërojnë procesin e regjistrimit.
Në pandemi qindra qytetarë u filmuan tek qëndronin në pritje para zyrave të MPB-së për të regjistruar automjetet.
Procesi pritet të digjitalizohet gjatë vitit të ardhshëm. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2022 pritet që të digjitalizohet procesi i vazhdimit të regjistrimit të automjeteve duke përfshirë edhe mënyrën e realizimit të pagesës online përmes portalit shtetëror E-Kosova, ku me këtë rast qytetari do të ketë të nevojshme paraqitjen në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve vetëm për të vulosur librezën.
Në vitin 2022 do të analizohet realizimi i pagesës komunale përmes E-kioskës, e nevojshme për regjistrimin e automjeteve. Gjithashtu gjatë vitit 2022 pritet të digjitalizohet edhe procesi i rezervimit të targave të caktuara në mënyrë online”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Kosova është në mesin e vendeve ku 96% e qytetarëve kanë qasje në internet, penetrimi kaq i lartë i internetit pritet të shërbejë për të digjitalizuar edhe më tutje adminsitratën e vendit.
Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian./kallxo.com/