Drejtuesit e Silicon Valley, lojtarët e tregut dhe gurutë e teknologjisë së re kanë paralajmëruar prej kohësh për rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale për njerëzimin – nga mënyra se si jetojmë dhe punojmë deri te komunikimi. Shqetësimi më i madh mbetet se IA do të “zhdukë” punët. Tashmë është lidhur me pushimet nga puna dhe madje edhe në industrinë që e “lindi”, një industri në të cilën punëtorët dukej se ishin imun deri më sot: atë të teknologjisë.
Një numër ende i vogël, por në rritje i kompanive të teknologjisë tani po ia atribuojnë pushimet nga puna inteligjencës artificiale. Chegg, një kompani amerikane e teknologjisë arsimore, zbuloi kohët e fundit se po shkurton 4% të fuqisë së saj punëtore, ose rreth 80 punonjës, “për të ekzekutuar më mirë strategjinë e saj të IA dhe për të krijuar vlerë afatgjatë dhe të qëndrueshme për studentët dhe investitorët e saj”.
Drejtori i Përgjithshëm i IBM, tha në një intervistë për Bloomberg se kompania do të ndalojë punësimin për poste që mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale në vitet e ardhshme. Dhe në fund të prillit, shërbimi i ruajtjes së skedarëve Dropbox njoftoi se po shkurtonte rreth 16% të fuqisë së tij punëtore, ose rreth 500 njerëz.
Vetëm gjatë muajit maj, inteligjenca artificiale u kushtoi disa mijëra njerëzve punën e tyre.
Prandaj, Silicon Valley po udhëheq rrugën në zhvillimin e inteligjencës artificiale, por në të njëjtën kohë ofron një vështrim të parë se si bizneset përshtaten me mjetet e reja. Me fjalë të tjera, IA nuk po “fshin” aftësitë e vjetruara brenda natës, siç druhen shumë, por po i detyron kompanitë të ndryshojnë strategji.
Shumë kompani po përshtaten me një mjedis të pasigurt ekonomik dhe po reduktojnë nivelet e kërkesës për shërbime dixhitale më shumë se tre vjet pas pandemisë. Deri më tani në vitin 2023, sipas të dhënave, janë pushuar nga puna 212.294 punonjës të teknologjisë, duke tejkaluar 164.709 të regjistruar në vitin 2022. Në hijen e këtyre pushimeve masive, industria e teknologjisë është përfshirë edhe nga “ethet” e inteligjencës artificiale duke ka investuar shumë në talentin dhe teknologjinë e IA.
Në janar, vetëm disa ditë pasi Microsoft njoftoi planet për të pushuar nga puna 10 mijë punonjës, gjithashtu konfirmoi se po bënte një investim ‘multi miliardë dollarësh’ në OpenAI, kompania pas ChatGPT./scan/