Dallimi i pagës mesatare në Kosovë dhe asaj në shtetet e Ballkanit

Tre vitet e fundit pagat në vendet e rajonit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa në Kosovë e Shqipëri, duke thelluar diferencën mes të ardhurave që merr një punonjës në Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë Hercegovinë, në krahasim me një shqiptar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka raportuar të dhënat deri në fund të vitit 2021, me pagën mesatare që ishte 484 euro, duke e bërë atë së bashku me Shqipërinë, si dy vendet që i paguajnë më pak punonjësit e tyre.

Paga mesatare bruto për këto vende luhatet midis 800-900 euro në muaj, nga rreth 520 euro që është mesatarja në Shqipëri, ose mesatarisht rreth 40% më e lartë

Monitor ka përpunuar të dhënat zyrtare të instituteve statistikore të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinës për pagat mesatare mujore bruto, të cilat janë të disponueshme deri në shtator të vitit 2022. Ndërsa Kosova, të dhënën e fundit të disponueshme ka fundin e vitit 2021.

Kjo pagë është krahasuar në vlerë nominale (e paindeksuar me inflacionin) me tremujorin e tretë 2019, përpara fillimit të pandemisë.

Mali i Zi ka pagën e dytë mesatare më të lartë në rajon, me 885 euro në muaj në fund të tremujorit të tretë 2022, ndonëse diferenca me vendet e tjera është ngushtuar, për shkak të rritjes më të ngadaltë (me rreth 14% nga shtatori 2019), sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi.

Serbia është vendi i rajonit që i ka rritur më shumë pagat gjatë kësaj periudhe, me 39%, duke i çuar 880 euro në fund të shtatorit 2022, sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë.

Në Maqedoninë e Veriut, një punonjës paguhet mesatarisht gati 780 euro, ose 29% më shumë sesa në shtator 2019, raporton zyra e Statistikave të Maqedonisë së Veriut.

Rritje e lartë e pagave është shënuar dhe në Bosnjë Hercegovinë, duke arritur në 893 euro, më e larta në rajon, me zgjerim 24% nga tremujori i tretë 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Bosnjë Hercegovinës.

Në Shqipëri, paga mesatare e një punonjësi ishte 522 euro në shtator 2022, nga 440 tre vjet më parë, me një rritje prej rreth 19%, sipas INSTAT. (shiko grafikun: Paga mesatare mujore bruto në rajon – euro).

Ju rekomandojmë