Reklama

Çmimi i një dite lufte në Ukrainë për Putinin

Lufta në Ukrainë nuk po shkon sipas planit të Vladimir Putin për shkak të vetëbesimit të lartë të Kremlinit, planit të dobët taktik dhe tronditjes nga rezistenca e ushtrisë së Ukrainës, pretendojnë shërbimet e inteligjencës.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës thotë se i kanë shkaktuar rusëve humbjen e 2,800 trupave, 80 tanke, 516 mjete luftarake, 10 aeroplanë dhe 7 helikopterë, raporton “Daily Mail”.

Ish-ministri i Mbrojtjes së Estonisë, Riho Terras deklaron se Rusia po mbetet pa para dhe armë dhe do të hyjnë në negociata me presidentin Zelensky nëse arrijnë të rezistojnë 10 ditë.

Putin besohet se gjatë një takimi të mbajtur me oligarkët në një bunker në Malet Urale, ka pretenduar se lufta do të ishte ‘e lehtë’ dhe gjithçka mund të zgjidhej në ‘1 deri në 4 ditë’.

Sipas Terras, duke iu referuar burimeve të inteligjencës së Ukrainës, Putinit po i kushton rreth 17.8 miliardë euro një ditë luftë.

Nga këto burime mësohet se Rusia ka raketa për vetëm 3-4 ditë të mbetura.

Ata kanë goditur pallate dhe zona të banuara me qëllim që të shkaktojnë frikë për të pasur më pas dezertime masive.

Deri tani, Moskës po i dështon dhe plani për të rrëzuar qeverinë dhe krijimin e një kabineti të ri kukull.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax raporton se Ministria e Mbrojtjes pretendon se forcat kanë arritur të marrin kontrollin e Melitopol.

Ky fakt nuk është konfirmuar, por nëse do të ishte i vërtetë atëherë, ky do të ishte qyteti i parë i madh që marrin në kontroll.

Britania e ka vënë në dyshim këtë informacion duke thënë se qyteti me 150 mijë banorë është ende në kontrollin e ushtrisë së Ukrainës. /Euronews.al

Ju rekomandojmë