Reklama

Çmimet e produkteve bujqësore u rritën për 8.3 për qind gjatë vitit 2021 në krahasim me 2020-ën

Krahas rritjes së çmimeve të produkteve bazike në Kosovë gjatë vitit 2021, është vërejtur edhe një rritje e indeksit vjetor tek inputet bujqësore.

Në bazë të një raporti të lëshuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) titulluar “Indeksi i Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi, 2015-2021 (2015=100)”, thuhet se në vitin 2021, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve bujqësore (Input 1) ka rritje për 11.5 për qind për mallëra dhe shërbime aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 2), krahasuar me vitin 2020. Kurse, indeksi për mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi ka rritje për 5 për qind në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.

Ndërkohë, krahasuar me vitin 2020, gjatë vitit 2021 indeksi vjetor i çmimeve të inputit të përgjithshëm (Input 1+Input 2) ka rritje për 8.3 për qind.

Nëse e krahasojmë me vitin 2015, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve bujqësore ka rritje për 3.1 për qind për Input 1 dhe për Input 2 ka rritje për 16.8 për qind në vitin 2021.

Ndërkaq, indeksi vjetor i çmimeve për inputin e përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 9.2 për qind, krahasuar me vitin 2015.

Në anën tjetër, në raport theksohet se produktet, që përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).

Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, siç thuhet në raport çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës).

“Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK”, përfundon raporti i ASK-së. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë