Masa 3. – Mbështetja për familjen – 50 milionë EUR
Me qëllim krijimin e një shoqërie të barabartë dhe për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, do të ndajmë 50
milionë euro për shtresat e cenueshme të shoqërisë. Mbështetje kjo që synon sadopak lehtësimin e barrës
që kanë pasur këto shtresa si pasojë e pandemisë.
Masa 3.1. – Mbështetja për familjet që kanë humbur kryefamiljarin – 4 mil EUR
Me anë të kësaj mase do të mbështeten me një shumë monetare të gjitha familjet që kanë humbur
kryefamiljarin e tyre nga COVID-19, duke e ditur që për shumë familje humbja e më të dashurve mund të
ketë nënkuptuar edhe humbjen e burimit të vetëm të të ardhurave.
Masa 3.2. – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale – 17 mil EUR
Do të paguhen shtesat për pensionistë ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, si dhe do të
mbështeten familjet që pranojnë asistencë sociale me 30% mbi nivelin e rregullt. Shtesat do të aplikohen
deri në fund të vitit fiskal.
Masa 3.3. – Reformimi i Skemës së Asistencës Sociale – 12 mil EUR
Pandemia ka treguar që sistemi aktual nuk është i dizajnuar si duhet dhe lë jashtë skemës shumë familje në
nevojë. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të fillojmë një reformë të skemës për asistencës sociale,
me qëllim zgjerimin e saj për të përfshirë më shumë familje në nevojë. Shuma e përgjithshme e projektit
pritet të jetë rreth 47 milionë euro.
Masa 3.4. – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë – 4 mil EUR
Për 6 muaj me radhë, në bashkëpunim me UNDP-në dhe me financim të BE-së, 7,500 familjeve më në
nevojë do t’u shpërndahen kuponë ushqimi në vlerë prej 60-70 euro, varësisht nga madhësia e familjes.
Mbështetja do të zgjerohet edhe për rreth 3,000 familje tjera nga komunitetet jo-shumicë, me mbështetje të
IOM-it.
Masa 3.5. – Pagesa për lehonat e papuna – 3 mil EUR
Këtë vit do të fillojmë skemën e mbështetjes së lehonave të papuna. Në kuadër të kësaj skeme, të gjitha
lehonat që nuk punojnë, do të përfitojnë mbështetje në nivelin e pagës minimale për 6 muaj me radhë.
Masa 3.6. – Mbështetja e likuiditetit familjar – 10 mil EUR
Me qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro.
Kjo do t’iu mundësoj shumë familjeve të mbyllin bilancet e kredit-kartelave që kanë interesa shumë të larta,
dhe njëkohësisht të përgatiten për vjeshtë duke pasur likuiditetin e nevojshëm për mbulimin e shpenzimeve
sezonale.