Reklama

Cilat ishin dhe kur u hapën bankat e para moderne në Shqipëri?

Për herë të parë, Shqipëria pati një bankë të sajën në vitin 1913, pas shpalljes së Pavarësisë, edhe pse me një veprimtari të kufizuar e pa mundur të realizojë misionin për të cilin ishte krijuar.

Megjithatë, prezenca e institucioneve financiare moderne daton shumë më herët; që në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe e ndarë në 4 njësi administrative.

Instituti i parë financiar modern për veprimet monetare në Perandorinë Osmane u krijua në vitin 1863. Deri në atë kohë, Perandoria kishte refuzuar që të modernizonte financat por situata e borxhit të thelluar ndaj shteteve europiane e ktheu në domosdoshmëri nevojën për modernizimin e financave.

Në këtë mënyrë, u krijua edhe Banka Perandorake Osmane apo ‘Banque Imperiale Ottomane’, me kapital të përbashkët francez dhe anglez dhe që kishte në qendër të funksionit të saj emetimin e kartëmonedhave dhe kreditimin.

Kjo bankë krijoi degë edhe në trojet shqiptare; në qendrat e 4 vilajeteve, në Shkodër, Shkup, Manastir e Janinë.

‘Ziraat Bankasi’ apo Banka Agrare

Një bankë tjetër, edhe më e rëndësishme se Banka Perandorake ishte Banka Agrare që u krijua paralelisht me të. Roli i kësaj banke ishte më i rëndësishëm për shkak të modelit ekonomik që vetë perandoria, dhe Shqipëria si pjesë e saj, kishte në ato vite.

Perandoria Osmane ishte një perandori agrare, ku modeli ekonomik ishte i bazuar te bujqësia e blegtoria e ku shkëmbimet ende bëheshin me mallra e ku taksat paguheshin po me mallra.

Në këtë kontekst ekonomik, roli i një banke agrare mori rol më të madh edhe në Shqipëri.

Rrjeti i kësaj banke ishte më i madh sesa i Bankës Perandorake dhe shtrihej në çdo qendër sanxhaku (prefecture) me degë dhe me arka në çdo qendër nënprefekture.

Kjo bankë pati degë në Janinë, Leskovik, Filat e Margëlliç si dhe në Gjirokastër, Berat, Vlorë, Delvinë, Përmet e Tepelenë.

Kushti kryesor për dhënien e kredisë ishte lënia peng e tokës bujqësore dhe për shkak të mënyrës sesi ishte ndarë pronësia në Shqipëri, jo të gjithë kishin tokë në pronësi e si rrjedhojë nuk mund të plotësonin këtë kriter për të marrë kredi.

Historiani Kristo Frashëri në botimin e tij “Monedha, krediti dhe banka në shqipëri gjatë shekujve”, citon Vjetarin e Vilajetit të Janinës, sipas të cilit në vitin 1903, shumën më të madhe të kredive e kishin dhënë dega e Bankës në Berat, e ndjekur nga dega në Gjirokastër, Vlorë, Përmet, Tepelenë  e në fund, Delvinë.

“Me gjithë ngritjen e dy bankave shtetërore turke, dhënia e kredive si dhe më parë nga tregtarët fajdexhinj privatë nuk u ndërpre. Përkundrazi, erdhi vazhdimisht duke u rritur. Duke u rritur vazhdimisht erdhi edhe pamundësia e tyre për të shlyer kreditë në afatet e caktuara.

Si rrjedhim, jo pak fajdexhinj, të cilët zakonisht ishin tregtarë, nxirrnin me lehtësi nga gjykatat vendimin për konfiskimin e tokave ose të kafshëve të tyre të punës. Kështu, krahas bejlerëve çifligarë u krijua në fund të sundimit osman edhe shtresa e tregtarëve çifligarë” shkruan Frashëri në studimin e tij.

Banka “Tozzi & Company” apo “Societa Commerciale D’Oriente”

Kjo mund të konsiderohet si banka e parë europiane që vjen në Shqipëri. Ngritja e kësaj banke vjen në një kohë kur Italia kishte nisur të fitonte betejën për tregun e Ballkanit me Austro Hungarinë.

Ky institucion financiar u krijua në vitin 1907 nën emrin “Societa Commerciale D’Oriente (Shoqëria Tregtare e Orientit)”, me misionin që të promovojë nismat industriale e bankare në Lindjen e afërme.

Studiuesit Lorenzo Iaselli në studimin e tij “Finanza, industrie e infrastrutture: la ferrovia transbalcanica e le sue ricadute per l’espansione economica italiana nei Balcani (1900-1920)” evidenton se  shoqëria e zgjeroi shpejt rrezen  e veprimit në Shqipëri  përmes hapjes së filialeve në Shkodër, Durrës e Vlorë si dhe në Malin e Zi, në Tivar e Podgoricë.

Banka Kombëtare e Shqipërisë në 1913

Pasi Shqipëria shpalli Pavarësinë në vitin 1912, në vend u ndëpre veprimtaria e dy bankave osmane (Bankës Perandorake Osmane dhe Bankës Agrare) ndërsa likujdimi i tyre u mor përsipër nga drejtoritë e financave që u krijuan nga shteti i ri shqiptar.

Menjëherë u ndëmor hapi i ngritjes së bankës së parë shqiptare që u cilësua edhe si akti i dytë më i rëndësishëm i Pavarësisë, pas atij të ngritjes së flamurit. Akti i koncesionit u nënshkrua në tetorin e vitit 1913 nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e bankave italiane dhe austriake.

Firmëtarët ishin Baroni Karol Piter dhe Oskar Pollak, në emër të “Wienner Bank Verein” dhe Pietro Fenoglio e Guido Ansbacher, në emër të “Banka Commerciale Italiana”.  Vendimi përcaktonte se Banka Kombëtare e Shqipërisë do të ishte do të ishte i vetmi agjent financiar i qeverisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, veprimtaria e bankës u kufizua vetëm në një transaksion bankar duke mos mundur të realizonte misionin e emetimit të kartëmonedhës apo të kreditimit të ekonomisë.

Bankat ‘ushtarake’/ 3 bankat austriake dhe hungareze në Shkodër, banka italiane në Vlorë 

Me hyrjen në vitin 1916 të ushtrisë austro-hungareze, në zonën e veriut të vendit që administrohej nga kjo perandori, u krijuan degët e tre bankave më të rëndësishme. Në Shkodër u hapën filialet bankare të “Wienner Bank Verein”, “Pester Bank” dhe “Ungarische Bank”.

Këto banka nuk emetuan monedha e kartëmonedha por shërbyen si zyra për kryerjen e veprimeve financiare në funksion të ushtrisë dhe të luftës. Një ndër aktivitetet më të mëdha ishte shitja dhe garantimi i huave të luftës që emetonte Perandoria Austro-Hungareze.

Nga ana tjetër, po për qëllime ushtarake, në Vlorë u hap një filial i  ‘Banca Commerciale Italiana’ me qendër në Milano, që gjithashtu kreu veprime të thjeshta financiare në funksion të ushtrisë.

Bashkitë dhe oda tregtare e Beratit në funksionin e bankave

Ndryshe nga sa kishte ndodhur me ushtritë austrohungarezë dhe italiane që kishin sjellë në vend filiale të bankave të tyre, ushtria franceze që administronte kryesisht zonën e Korçës, zbatoi vendimin e Administratës së Krahinës Autonome të Korçës.

Krahina autonome e Korçës u krijua me 10 dhjetor të vitit 1916. Administrate shqiptare e Korçës ushtroi edhe funksionet e një banke, duke emetuar në janarin e vitit 1917 kartëmonedhat e saj shqiptare. Këto kartëmonedha jo vetëm plotësonin nevojat që kishte ekonomia lokale për shkëmbime por edhe i jepte zgjidhje problemit të zhvlerësimit të dhrahmive greke.

Kartëmonedhat u shtypën nga Drejtoria e Financave të Korçës dhe u quajtën Frang, njësoj si monedha zyrtare e Francës. Mbulimi i këtyre kartëmonedhave, ndryshe nga sa ndodhte në atë kohë, u bë nga të ardhurat e taksave dhe jo nga rezervat e arit.

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, në mungesë të një banke e në kushtet e një ‘babilonie’ monedhash të huaja që qarkullonin në vend, qeveria shqiptare ndërmori masat e para për rregullimin e situatës monetare të vendit. Në vitin 1920 do të vendosej për herë të parë nxjerrja e të ardhurave shtetërore në bazën e frangut ar.

Në këtë periudhë ekonomia shqiptare përballej me një serë problematikash e një nga shkaqet ishte edhe mungesa e monedhës divizionare, pra e monedhave me vlerë të ulët që mund të përdoreshin për shkëmbime të ndryshme.

Nevoja për të pasur monedha divizionare, i detyroi disa bashki që të vinin në qarkullim nën garancinë e tyre në vitet 1920 dhe 1921, disa lloje monedhash me vlera të ulëta për të përballuar shkëmbimin lokal me përdorim vetëm brenda territorit të juridiksionit të tyre.

Kjo masë do të zyrtarizohej në vitin 1923 kur qeveria me anë të ligjit të datës 16 janar do të autorizonte bashkitë që të vinin në qarkullim kartëmonedhën krahinare, deri në një shumë prej 80 mijë frangash ari secila.

Në bazë të këtij ligji, disa prej bashkive si ajo e Shkodrës apo ajo e Korçës, kanë pasur të shtypur e kanë vënë në qarkullim kartëmonedha prej 0.25 franga ari, 0,50 franga ari, 1 e 2 franga ari, të cilat në vitin 1924 do të hiqeshin nga qarkullimi. Në Berat, ky rol u mor nga Dhoma Tregtare e Beratit.

Çështja bankare e Shqipërisë u zgjidh në vitin 1925 kur u nënshkrua koncesioni për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipnis’ që i hapi rrugë emetimit të monedhës zyrtare shqiptare.

Ju rekomandojmë