Nga shteti që ka nisur luftën në Ukrainë, Kosova realizon import milionësh brenda një viti. Por, edhe eksporton produkte. Express ju sjell listën e produkteve që Kosova blen nga Rusia dhe atyre që ia shet këtij shteti.
Një luftë e re ka nisur në Evropë, tash e gjashtë ditë. Nga orët e para të mëngjesit të së enjtes, Rusia ka filluar sulmet në territorin e Ukrainës.
Asnjëra prej këtyre dy shteteve nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por me to vendi realizon import milionësh. Disa produkte edhe ua shet, por krahasuar me importin, në nivel shumë të ulët.
Në tabelën e eksportit dhe importit që e ka siguruar Gazeta Express nga Dogana e Kosovës figurojnë disa produkte me të cilat, Rusia dhe Kosova e furnizojnë njëra-tjetrën.
Lista fillon reaktorët nuklearët, bojlerët dhe makineritë e pajisje teknike.
Nga Dogana kanë sqaruar se vendi nuk eksporton e importon reaktorë nuklearë, por se kapitulli quhet ashtu, ku përfshihen qindra produkte, në mesin e të cilave edhe bojlerët.
Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka eksportuar këto produkte në vlerë prej 16 mijë euro.
Të njëjtat produkte, Kosova i ka importuar nga Rusia vjet dhe sivjet në vlerë prej rreth 215 mijë euro.
Kosova importon nga Rusia edhe zarzavate, niseshte, vajra dhe dhjamra, sheqerna, kakao, duhan, pije, lënë djegëse, kimikate organike, produkte higjenike, dru, letra, libra, revista e piktura.
Nga ky shtet kosovarët blejnë edhe produkte tekstili. Përveç tekstilit, vendi ynë furnizohet nga Rusia edhe me mjete të transportit, gizë e çelik, boilera, mobileri, lodra, instrumente dhe aparate optike.
Vlera e importit nga Rusia gjatë vitit të kaluar ka shkuar në mbi 50 milionë euro.
Por, importi nga ky shtet ka vazhduar edhe sivjet. Për vetëm dy muaj, Kosova është furnizuar me produkte nga Rusia në vlerë rreth 5 milionë e 400 euro.
Përveç që blejmë produkte nga ky shtet, sipas statistikave të Doganës, Kosova edhe shet produkte atje.
Vjet kemi eksportuar produkte në këtë shtet në vlerë rreth 35 mijë euro, derisa këta dy muaj në vlerë 3 mijë e 600 euro.
Kosova importon produkte edhe nga shteti që po synon ta pushtojë Rusia, Ukraina.
Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Express, nga viti 2019 e deri tash Kosova ka importuar produkte në vlerë mbi 81 milionë euro nga Ukraina.
Vetëm gjatë këtyre dy muajve, vendi ynë ka importuar produkte nga ky shtet në vlerë prej 5 milionë euro.
Produktet që importohen më së shumti nga ky shtet janë kryesisht ato të tekstilit. Por, edhe ato ushqimore.
Pula të therura e të pastruara, arra, çokollata, grurë, misër, biskota, vaj ushqimor luledielli, sheqer e gjalpë janë vetëm disa prej produkteve ushqimore me të cilat janë furnizuar kosovarët nga ky shtet.
Përveç këtyre produkteve, kosovarët furnizohen nga Ukraina edhe me pasqyra, enë, gota, kavanoza, llamarina, ventilatorë, zile, llampa, mobile dhe lodra.
Ndryshe, po shënohet dita e gjashtë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Nata e fundit ishte e përgjakshme për Ukrainën. Iu vranë së paku 70 ushtarë në një vend.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i jap fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se nuk do të dërgojë trupa apo avionë luftarakë për ta mbështetur Kievin, pasi pohon se alenaca që udhëheq nuk dëshiron të bëhet pjesë e konfliktit.
Këtë deklaratë kreu i NATO-s e ka dhënë pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda./Gazeta Express