Reklama

Çfarë nënkupton Neni 4 i Natos?

Shtetet anëtare të NATO-s, Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania e kanë aktivizuar Nenin 4 të NATO-s për të nisur konsultimet brenda aleancës mbi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Palët do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërës prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjërës prej palëve”, thotë neni 4 i Traktatit të Aleancës Veriatlantike.

Sipas NATO-s, konsultimi sipas nenit 4 mund të çojë në veprim kolektiv midis 30 vendeve anëtare. Neni 4 është përdorur gjashtë herë më parë që nga formimi i aleancës në vitin 1949, së fundmi nga Turqia në shkurt 2020 pasi dhjetëra ushtarë turq u vranë nga një sulm nga forcat qeveritare siriane në zonat e kontrolluara nga opozita në Sirinë veriore.

Turqia e ka përdorur nenin 4 në katër raste të tjera: një herë në 2015 për ta informuar aleancën për reagimin e saj ndaj sulmeve terroriste në vend; dy herë në vitin 2012 pasi një avion luftarak turk u rrëzua në veri të Sirisë dhe pasi civilët turq u vranë nga granatimet siriane; dhe në vitin 2003 kur kërkoi ndihmë nga aleanca për ta mbrojtur popullsinë e saj nga çdo përhapje e luftës në Irakun fqinj.

Në dy nga ato raste, NATO reagoi me ndihmë ushtarake, duke dërguar bateri raketash Patriot për t’u mbrojtur nga sulmet siriane në vitin 2012 dhe duke dërguar avionë dhe bateri raketash në Turqinë juglindore përgjatë kufirit me Irakun në 2003.

Polonia aktivizoi nenin 4 në vitin 2014 pas agresionit të mëparshëm rus në Ukrainë, një takim që rezultoi në përpjekje të mëtejshme të aleancës për të qëndruar së bashku kundër çdo kërcënimi.Neni 4 është i ndarë nga neni 5, i cili thotë se një sulm kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve./CNN

Ju rekomandojmë