Reklama

Çdo shqiptar ka 4100 euro detyrime, dyfish krahasuar me 2013

Borxhi për frymë, pra pjesa që çdo shqiptar ka nga totali i detyrimeve të shtetit, ka pësuar rritje të ndjeshme e me ritme të shpejta vitet e fundit.

Bazuar në borxhin publik të raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përfshirë edhe Eurobondin, çdo shqiptar, pavarësisht moshës apo gjinisë ka rreth 4100 euro borxh. Kjo vlerë është gati dyfishuar në krahasim me 2013-n, vit në të cilin detyrimet për frymë ishin në kuotën e 2500 eurove. Kjo do të thotë që për një familje me 4 anëtarë, borxhi arrin vlerën e 16 mijë e 400 euro.

Po cilët janë faktorët që po krijojnë një gropë të madhe në financat e një prej popujve më të varfër në Europë? “Ndikojnë edhe faktorët demografikë, por rritja e borxhit ka vijuar pa u ndalur këtë periudhë. Në ndryshim nga vendet e rajonit ne kemi përjetuar edhe tërmetin. Por duhet të theksojmë që edhe performanca e ekonomisë nuk është aty ku duhet të ishte”, thotë studiuesi Flobenc Dilaveri.

Nga ana tjetër, pasja e borxheve të larta, a do të thotë më pak investime e shërbime për qytetarët? “Pa dyshim, por duhet dalluar niveli i investimeve që duhet të frenohet, mund të jenë investime të dyta ose të treta që nuk e kanë impaktin direkt në ekonomi”, thotë Dilaveri. /A2news.com/

Ju rekomandojmë