Gjiganti shtetëror i naftës në Arabinë Saudite, Saudi Aramco, theu projeksionet me një rritje prej 30% të fitimit neto në tremujorin e parë, duke mbajtur pagesën e dividentëve, nxitur nga çmimet e forta të naftës. Të ardhurat nga kompanitë botërore të energjisë, si Exxon Mobil, janë rritur prej fuqizimit të çmimeve të naftës, që janë rritur me mbi 30% këtë vit, prej rimëkëmbjes së kërkesës nga pandemia dhe tkurrjes së sufiçitit botëror të naftës. “Duke marrë parasysh shenjat pozitive të kërkesës për energji në vitin 2021, ka më shumë arsye për të qenë optimist në të ardhmen”- tha Amin Nasser, ekzekutivi i kompanisë, që është eksportuesi më i madh në botë. Të ardhurat neto u rritën në 21.7 miliardë dollarë në tremujorin e parë, nga 16.7 miliardë dollarë që ishin një vit më parë. Aramco projektonte një fitim neto prej 19.4 miliardë dollarë, sipas analistëve. Kompanai, që u listua në vitin 2019, me një shitje të 1.7% të aksioneve ndaj publikut të arabisë saudite dhe institucioneve rajonale lajmëroi se të ardhurat u nxitën nga fuqizimi i naftës dhe marzhet më të larta të rafinimit, që kompensuan prodhimin më të ulët. OPEC+, që përfshin organizatën e vendeve eksportuese dhe aleatë si Rusia, kanë shkurtuar prodhimin për të mbështetur çmimet. Aramco, që uli prodhimin sipas paktit, tha se kërkesa botërore për produkte të naftës po rimëkëmbet nga nivelet e ulëta të vitit 2020, pavarësisht se është ende poshtë niveleve të para pandemisë.
Aramco deklaroi një divident prej 18.8 miliardë dollarë për tremujorin e parë, që do paguhet në të dytin, në linjë me udhëzimet e kompanisë për një divident prej 75 miliardë dollarë për vitin e plotë.
Klevis Llaha – SCAN