Reklama

317 instalime solare për vet-konsum deri më tani në Kosovë

Aktualisht numri i konsumatorëve të cilët kanë statusin e prosumatorit është 317 me kapacitet të instaluar prej 9980.06 kW. Ndërsa, gjatë këtij muaji në ZRRE janë pranuar edhe 17 kërkesa me kapacitet të instaluar prej 279.83 kW. Të dhënat zyrtare tregojnë se në Shqipëri ky numër në janar të 2024-tës ka arritur në 1760, ndërkohë që kapaciteti total i instaluar atje llogaritet në rreth 160 MW.

Buletini Ekonomik

Në bazë të të dhënave të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në Kosovë ka zënë të shtohet interesimi, qoftë ndër qytetarë, qoftë biznese, për të ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese elektroenergjetike në bazë të burimeve të ripërtëritshme. Dita ditës në Republikën tonë po rritet numri i personave dhe bizneseve që kanë instaluar impiante solare (fotovoltaikë) për vetëkonsum.

Sipas vlerësimit të ZRRE-së, që nga zbatimi i skemës së mbështetjes së konsumatorëve me vet-gjenerim (ose siç i emërtojnë në ZRRE, prosumatorë), për t’u bërë prosumatorë ka tendencë të rritjes. Aktualisht numri i konsumatorëve të cilët kanë statusin e prosumatorit është 317 me kapacitet të instaluar prej 9980.06 kW. Ndërsa vetëm gjatë këtij muaji deri më tani, janë pranuar edhe 17 kërkesa me kapacitet të instaluar prej 279.83 kW.

Në bazë të përgjigjeve të ZRRE-së në interesimet e Buletinit Ekonomik, në Kosovë tashmë është rregulluar ligjërisht deri në detaje çështja e konsumatorëve të cilët kanë statusin e prosumatorit, çështja e tepricave që prodhohen nga impiantet solare të instaluara nga ta në shtëpitë apo ambientet biznesore të tyre, respektivisht, plasimi i tepricave solare në rrjetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe përdorimi nga individi, apo biznesi në një moment të dytë kur nevoja për konsum është më e lartë se prodhimi.

Në përgjigjen e ZRRE-së për Buletinin Ekonomik thuhet se “në aspektin Ligjor, Zyra e Rregullatorit për Energji rregullon konsumatorët me vet- gjenerim (prosumatorët) nëpërmjet dy rregullave: Rregulla për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Kapaciteteve të Reja Gjeneruese (Rregulla për Autorizimin) dhe Rregulla për Vet- Konsumatorët me Burime të Ripërtërishme”.

ZRRE thotë se “ka vendosur në këto rregulla udhëzime dhe parime të qarta për Konsumatorët me Vet-gjenerim në Kosovë”.

Rregulla për Vet- Konsumatorët me Burime të Ripërtërishme, sipas ZRRE-së, përcakton parimet dhe mekanizmin e rregulluar për mbështetjen e konsumatorëve të energjisë elektrike që dëshirojnë të gjenerojnë energji elektrike në ambientet e tyre bazuar në teknologjinë e ripërtëritshme për përdorim vetanak. Në përputhje me këtë Rregull, Teprica e energjisë elektrike që nuk konsumohet nga Prosumatori në kuadër të Skemës Mbështetëse të Faturimit Neto, do të merret nga Furnizuesi, me të cilin Prosumatori ka një kontratë furnizimi, për Prosumatorët brenda Skemës Mbështetëse të Faturimit Neto. Sasia e energjisë elektrike të tërhequr dhe sasia e energjisë elektrike të tepërt përcaktohen në bazë të leximeve të njehsorëve në pikën matëse.

Prosumatorët kanë të drejtën e kompensimit për energjinë elektrike të tepërt përmes një kreditimi monetar në euro. Kompensimi do të llogaritet në bazë të netos së vlerës monetare të energjisë elektrike, vetëm për komponentët e energjisë, të tërhequra nga rrjeti dhe vlerës monetare të tepricës së energjisë elektrike të futur në rrjet brenda një Periudhe Faturimi e cila do të merret parasysh kur të përgatiten faturat e energjisë elektrike nga Furnizuesi.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë, në fillim të këtij muaji (më 6 shkurt 2024), ka lansuar ‘Thirrjen Publike’ për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së ripërtërishme. Përmes këtij investimi, siç thuhet nga Ministria e Ekonomisë, në sistemin e energjisë së ripërtërishme mundësohen investimet në sistemin fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga Bashkimi Evropian (BE). Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, ka thënë se do të ulet barra për sistemin energjetik por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.

“Me skemën që po e lansojmë sot, familjet mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 KW, ku do të subvencionohen me 250 euro për KW, deri në 1 mijë e 750 euro në total. Edhe për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në KW me kapacitet prej 3 deri në 9 KW, maksimalisht deri në 2 mijë euro”, ka sqaruar Kurti.

Më tej, ai tha se për kapacitetet prej 10 KW e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për KW deri në 600 euro në total.

“Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro. Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, ka saktësuar Albin Kurti.

Skemat e subvencionimit të familjeve dhe bizneseve nga ana e shtetit, shihet qartë se po bëhen vetëm e vetëm për nxitjen e investimit në sisteme të energjisë së ripërtërishme. Sepse, në Kosovë, megjithë nisjen për ta përqafuar vendosjen e impianteve fotovoltaike për vetëkonsum, numri gjithsej prej 317 prosumatorësh të deritashëm është fare modest, dhe krahasuar me vendet edhe të rajonit është thuaja i papërfillshëm. Është ky numër thuaja simbolik edhe krahasuar me Shqipërinë, ku po ashtu, ka filluar vonë vendosja e impianteve fotovoltaike për vetëkonsum, por që ka ardhur në rritje nga viti në vit.

Të dhënat zyrtare të OSHEE Group tregojnë se në Shqipëri ky numër në janar të 2024-tës ka arritur në 1760 ndërkohë që kapaciteti total i instaluar llogaritet në rreth 160 MW. Kategoria e vetëprodhuesve në Shqipëri përbëhet kryesisht nga bizneset në treg të lirë, të cilët për të reduktuar faturat e tyre të energjisë janë nxitur në vite për të përballuar një pjesë të konsumit nga prodhimi i impianteve të tyre.

Sipas kuadrit ligjor, çdo subjekt i interesuar që plotëson kushtet e nevojshme, mund të instalojë dhe të lidhë në rrjet një impiant fotovoltaik që nuk duhet të kalojë kapacitetin 500 kWp. Edhe në Shqipëri, sasia e energjisë që prodhohet nga ky impiant mund të përdoret nga biznesi dhe tepricat, kur ka teprica mund të hidhen në rrjet dhe të përdoren nga biznesi në një moment të dytë kur nevoja për konsum është më e lartë se prodhimi. Interesimi për instalimin e impianteve fotovoltaike për vetë prodhim në Shqipëri, sipas medieve shqiptare, vijon të mbetet i lartë edhe aktualisht për shkak të mundësisë që jep ky investim për të reduktuar faturat e energjisë dhe për t’u kthyer në një kohë të shkurtër. Më herët, kthimi i investimit llogaritej për një periudhë deri në 7 vjet, por rritja e çmimeve të energjisë si dhe reduktimi i kostove të financimit viteve të fundit ka bërë që kthimi i investimit të shkojë nga 2-2.5 vjet. /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë