Kosova ka eksportuar mallra rreth 700 milionë euro gjatë vitit 2021, ndërsa importi ka arritur në shifrën 4.6 miliardë euro.Gjatë një konference për media, drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, duke prezantuar të dhënat e Doganës gjatë vitit 2021, tha se shteti ku Kosova ka eksportuar më së shumti është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 126 milionë euro eksport.
Llugaliu tha se sfidë për Doganën ka qenë rritja e vëllimit në tregtinë e jashtme, por që performanca ekonomike me një rritje prej 10%, sipas tij, ka lehtësuar objektivën kryesore, mbledhjen e të hyrave.
“Kemi arritur që të kemi të hyra rreth 1 miliardë e 370 milionë euro, kjo shënon një rritje prej 322 milionë euro më shumë se në vitin 2020 apo 30.7% më shumë të hyra. Që të jemi korrekt me rritjen, kemi pasur të hyra më shumë edhe se viti 2019. Ky trend e kalon trendet e viteve të kaluara”, tha Llugaliu.
Importi, sipas Llugaliut, ka qenë 4.6 miliardë euro që po ashtu ka shënuar rritje, krahasuar me vitin 2020 ku ka qenë 3.2 miliardë euro dhe vitin 2019, që ka qenë 3.5 miliardë euro.
Llugaliu tha se Dogana gjatë vitit 2021 i ka kushtuar rëndësi edhe informalitetit.“Te mallrat e konfiskuara kemi pasur 9 milionë euro, ndërsa si rezultat i bashkëpunimit me ATK-në, Policinë dhe Inspektoriatin e Ministrisë së Tregtisë, i kemi pasur 285 aktivitete; 13 persona të arrestuar; 48 raste të zbulimit të narkotikëve dhe 57 raste të zbulimit të armëve, nëpër pikat kufitare”, tha Llugaliu.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se si ministri dhe si Qeveri janë të kënaqur me rezultatet e Doganës, gjatë vitit 2021.“Në përgjithësi është shënuar nje record në të hyra. Ka pasur performancë më të mirë në mbledhjen e tyre, ndërsa gjithashtu në eksport ka pasur një record. Ka pasur, po ashtu efikasitet në luftimin e kontrabandës së mallrave, që është prioritet për ne”, tha ndër të tjera Murati./kallxo.com/